TIRANË- Çështja e ligjit të luftës me Greqinë shumë shpejt do të shkojë drejt zgjidhjes. Kështu premtoi në vizitën e tij në Tiranë, kryediplomati grek Nikos Dendias, i cili tha se do të nisin procedurat për abrogimin e ligjit, i cili daton që nga viti 1940. Sipas ministrit të Jashtëm grek, dy vendet duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, që pikat historike për abrogimin e tij, të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Sa i përket çështjeve së pensioneve dhe njohjes së tyre nga shtetit grek, ministri Dendias tha se është e rëndësishme që është rënë dakord që të vendoset një itinerar për zgjidhjen e kësaj çështje.

Gjatë një konference të përbashkët, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se gjatë diskutimit ndërmjet tyre, është edhe për çështjen e pronave çame. Xhaçka tha se ekziston vullneti i mirë për t'i dhënë zgjidhje.

'Ekziston vullneti i mirë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht edhe për abrogimin e Ligjit të Luftës apo çështjen e pronave të komunitetit çam.'- tha ministrja.

Por propozimit të ministres për zgjidhjen e çështjes së pronave çame, ministri grek ju kundërpërgjigj me një paralajmërim për integrimin e vendit.

‘Ne duhet të diskutojmë për çështje praktike që kanë të bëjnë me palën greke dhe ne nuk mendojmë se gjërat janë fiks siç paramendohen. Kjo do na çojë në pasoja të niveleve të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë itinerarin tuaj në Evropë’, paralajmëroi Dendias. 

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias, e nisi vizitën e tij zyrtare në Tiranë me kren e degës së Omonias në Himarë, Fredi Beleri. Dendias ka publikuar një foto nga takimi, ku shprehet se me Belerin kanë diskutuar sa i takon problematikave të minoritetit grek në Shqipëri.

Çfarë është ligji i luftës ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë
Ky ligj famëkeq, i miratuar në tetor 1940, kur Italia e Musolinit sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë së pushtuar prej tij në pranverën 1939, është "de jure" sot e kësaj dite në fuqi. Më konkretisht: ky ligj do të thotë që Shqipëria për Greqinë është një vend armik! Armiqësi paradoksale ndaj një vendi anëtar  të NATO-s, me të cilin në 1996, Greqia nënshkroi Traktatin e Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë. Në këtë ligj përshkruhen me hollësi sasia e pronave dhe pasurive, bllokohen si efekt dëmshpërblimi. Çështja e pronave të bllokuara të shqiptarëve vazhdon të mbetet një proces i ngrirë si vetë procedura me këtë Ligj. Për më tepër që ky Ligj është bazamenti juridik edhe i disa ligjeve dhe akteve të tjera juridike e normative që ka marrë Athina për çështjen e pronave të shtetëzuara dhunshëm të shqiptarëve që në fillimin e viteve ‘40.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:13
Takimi me Dendias, Rama: Diskutuam për çështje në interes të popujve tanë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një postim në ’Fcabeook’ pas takimit me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, ku shkruan se kanë diskutuar për çështje në interes të popujve të dy vendeve.

“Me Ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias, në një bisedë të frytshme për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë”, shkruan Rama.

Ora 14:01
Dendias takon Ramën: Folëm për marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën e BE dhe zhvillimet rajonale

1653307642_ramadendias.JPG

Gjatë vizitës në Tiranë, kryediplomati i jashtëm grek, Nikos Dendias ka takuar kryeministrin Edi Rama, me të cilin diskutoi për integrimin në BE dhe zhvillimet rajonale.

“Duke përfunduar vizitën time në Tiranë , u takova me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Diskutimet u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën e BE dhe zhvillimet rajonale”, shkruan Dendias me anë të një postimi në Twitter.

Ora 12:48
Dendias në Tiranë: Nisim shpejt procedurat për abrogimin e ligjit të luftës! Të diskutojmë për çështje praktike, gjërat nuk janë siç paramendohen

 

Kryediplomati i jashtëm grek, Nikos Dendias u shpreh se abrogimi i ligjit të luftës është diçka që palët duhet të shkëputen dhe për këtë duhet të nisin procedurat sa më shpejt. Ndërsa për pronat e çamëve në Greqi tha se kjo çështje nuk ekziston, por mund do të çojë në pasoja të shumëfishta.

"Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë, madje abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi, e të bashkëpunojmë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur.

Ne duhet të diskutojmë për çështje praktike që kanë të bëjnë me palën greke dhe ne nuk mendojmë se gjërat janë fiks sic paramendohen. Kjo do na çojë në pasoja të niveleve të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë itinerarin tuaj në Evropë.  Ne konsiderojmë se minoriteti grek në Shqipëri por edhe komuniteti shqiptar në Greqi përbën urë lidhëse mes vendeve, ndaj diskutuam për këto grupe dhe kuptoj mirë çështjen e pensioneve, me shumë njerëz që kanë kontribuar në ekonominë tonë.

Takova dhe anëtarë të minirotitetit grek të Himarës që më dhanë zërin për problematikat e tyre. Kisha nderin të takoj dhe kryepeshkopin e Tiranës dhe Durrësit dhe në marrëdhëniet tona është e rëndësishme se iu referuam tregtisë dypalëshe, ekonomisë dhe si të thellojmë marrëdhëniet tona. Kjo do të thotë se ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike.  Diskutuam për çështje me energjetikën, për luftën në Ukrainë që Shqipëria po e menaxhon me Këshillin e Sigurisë. Doja të përgëzoja Shqipërinë si vend anëtar që të integrohet në BE, ka adoptuar vendimet e BE dhe mendoj se mund të jetë shembull dhe për vendet e tjera që nuk ndjekin taktikën shqiptare që të jetë e harmonizuar me pozicionet e familjes europiane. Falenderojmë Shqipërinë për kandidaturën që ka dhënë për periudhën 25-26. Për prespektivën europiane të Shqipërisë, Greqia e mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut", tha Dendias.

Ndër të tjera, Dendias foli për çështjen e Detit duke thënë se do të përshpejtojnë hapat për të depozituar dokumentet në gjykatën e Hagës.

"Kam gëzim që jam këtu sot dhe të njoftoj vendimin tonë për përcjelljen e çështjes të delimitimit të zonave detare, të ashpësirave detare dhe të shelfit kontinental në Hagë. Përmbushja e kësaj procedure ka rëndësi të vecantë dhe të dyja vendet dëshirojmë të zgjidhim diferencat tona në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të detit. Përtej rëndësisë së vendeve tona, dërgon një mesazh të rëndësishëm për vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur për të zgjidhur divergjencat dhe si do të përshpejtojmë hapat që të depozitojmë dokumentet në gjykatën e Hagës", tha Dendias.

Ora 12:32
Ministrja e Jashtme: Ekziston vullneti i mirë për zgjidhjen e ligjit luftës dhe çështjen e pronave me çamët

Ministrja e Jashmte, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat bashkë me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, tha se ekziston vullneti i mirë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht edhe për abrogimin e Ligjit të Luftës apo çështjen e pronave të komunitetit çam.

'Është kënaqësi e veçantë që pata mundësinë të pres sot këtu në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Me Ministrin Dendias shkëmbyem mendime në lidhje me përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, të cilat duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, miqësisë midis dy popujve tanë, në respekt të interesave strategjike, partneritetit të ngushtë në NATO-s dhe perspektivës së përbashkët evropiane.

Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, një vend ku jetojnë një numër i konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, por që njëkohësisht mbetet partneri e mbështetësi i  zëshëm i Shqipërisë në rrugën drejt progresit dhe integrimit evropian.

Dua të vlerësoj ndihmën e ofruar nga Greqia në përballimin e tërmetit dhe t’i rishpreh mirënjohjen dhe ta falenderoj edhe një herë Ministrin Dendias, që na u gjet personalisht pranë me ekipet e shpëtimit menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe rindërtimin e shkollës profesionale në kompleksin ''5 Maji'' në Tiranë.

Të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh në nivele të ndryshme, pavarësisht situatës së krijuar nga Pandemia Covid-19. Ndërsa sot ramë dakort që me vullnet të përbashkët, të punojmë bashkarisht për të adresuar të gjitha problemet që duhet ende të zgjidhen, dhe që janë në interes të dy vendeve tona, por më së pari në interes të qytetarëve tanë.

Pjesë e diskutimeve ishte dhe komuniteti i qytetarëve tanë në Greqi, me mbi 600 mijë shqiptarë, që punojnë dhe kontribojne atje, duke qenë komuniteti më i madh i të huajve. Vlerësuam integrimin e tyre në shoqërinë greke, por diskutuam edhe mbi adresimin e cështjeve që lidhen me mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, mësimin e gjuhës shqipe, shqiptarët që vuajnë dënimet në institucionet greke dhe çështje të tjera konsullore që do të lehtësojnë lëvizjen dhe jetën e shtetasve tanë.

Ministri Dendias më informoi se ka planifikuar një tur vizitash në rajon, duke e nisur nga Shqipëria. Duke falenderuar Ministrin e sigurova se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë një politikë aktive, të moderuar, të udhëhequr nga synimi për një integrim euro-atlantik rajonal, si dhe për një integrim ekonomik. Ne ndamë të njëjtin mendim se integrimi Euro-atlantik mbetet një orientim i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm për të gjitha vendet e rajonit.

Tashmë tre vende të Ballkanit Perëndimor janë vende anëtare në NATO dhe unë theksova vëmendjen e veçantë që merr ky fakt, ndikuar nga zhvillimet në Ukrainë, rëndësinë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të anëtarësohen, duke përfshirë edhe Kosovën.

Një çështje e rëndësishme që u diskutua ishte dhe integrimi  evropian i Shqipërisë. Gjej rastin të falënderoj Greqinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme për perspektivën evropiane të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me marrjen e datës për konferencën e parë ndërqeveritare. Mbështetja e vazhdueshme Greqisë, duke shënuar një pikë kulmore me Samitin e Selanikut gati 20 vjet më parë, mbetet një dëshmi e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë dhe rajonit në BE është një synim i ndërsjellë e strategjik.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze të BE-së.

Bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare ishin në fokus të diskutimit të sotëm. Ne e vlerësojmë Greqinë si një partner ekonomik shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe gjuha e shifrave tregojnë se Greqia vazhdon të jetë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe investime të huaja direkte. Pandemia i vuri në sprovë ekonomitë tona dhe provoi që bashkëpunimi i ngushtë midis institucioneve dhe bizneseve tona bëri që ta përballojmë deri tani me sukses këtë situatë. Sigurisht që mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve janë më te mëdha dhe duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim.

Vlerësuam bashkëpunimin tonë në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, si dhe mbështetjen reciproke te kandidaturave tona ne organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu, falënderova Greqinë për mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë si një vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe shpreha bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Temë e diskutimit tonë ishte edhe situata në Ukrainë ku në këtë situatë të vështirë dëshiroj të rikonfirmoj edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Kjo luftë nuk është vetëm një luftë për mbijetesën e Ukrainës, por një luftë për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian. Duhet bërë më shumë për të ndaluar luftën e pajustifikuar ndaj Ukrainës. Me Ministrin Dendias ne ndajmë qëndrim të njëjtë në dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe solidarizohemi në shprehjen e keqardhjes dhe ngushëllimeve tona për humbjen e jetës së shumë banorëve të Mariupolit, përfshi ata me origjinë greke.

Një tjetër çështje e diskutuar e ishte edhe ajo e delimitimit të zonave detare, e cila paraqet interes për të dy vendet tona, pasi lidhet me ushtrimin e sovranitetit territorial dhe te drejtat sovrane në hapesirat detare respektive. Rikonfirmuam dhe njëherë vullnetin tonë për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqesore, siç është Gjykata Ndërkombetar e Drejtësisë.

Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, mund të shërbejë si një shembull i qasjes konstruktive me të cilën vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam.  Duke ju falënderuar edhe një herë për vizitën, fjala për ju zoti Ministër.'- tha ministrja Olta Xhaçka

 

Ora 11:05
Ministri grek Nikos Dendias takon në Tiranë kreun e Omonias: Diskutuam për problematikat e minoritetit

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias, e ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë me kren e degës së Omonias në Himarë, Fredi Beleri. Dendias ka publikuar një foto nga takimi, ku shprehet se me Belerin kanë diskutuar sa i takon problematikave të minoritetit grek në Shqipëri.

‘Në nisjen e vizitës time në Tiranë, u takova me Presidentin e degës së Omonias në Himarë, Fredi Beleri, i cili më informoi mbi çështjet dhe problematikat e minoritetit grek në Shqipëri’, shkruan ai.