Shoqëria shtetërore e prodhimit të armëve në Shqipëri ‘KAYO’ tashmë ka marrë autorizimin e qeverisë për të negociuar me qëllim lidhjen e marrëveshjeve me 2 kompani të tjera për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronëve luftarakë në logon e ‘Made in Albania’. Sipas ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, këto marrëveshje do të jetë nxitje jo vetëm për industrinë ushtarake, por edhe për punësimin.
“Këto dy vendime të Këshillit të Ministrave janë domethënëse, është hera e parë që krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese, kjo është diçka që na bën të ndihemi krenarë dhe jemi afër të finalizimit të marrëveshjeve me këtë autorizim që jep Këshilli i Ministrave. Do të jetë nxitje jo vetëm për industrinë ushtarake, por edhe nxitje për punësimin, krijimin e një hapi të mirëfilltë të ndërtimit të mjeteve lundruese”, tha Ermal Nufi pas mbledhjes së qeverisë.
Kayo do të përfshihet në një shoqëri të përbashkët me gjigandin italian të prodhimit të anijeve ushtarake, Fincantieri, sipas marrëveshjes së mirëkuptimit të firmosur nëntorin e kaluar në Romë. Sipas vendimit të qeverisë, Kayo do duhet të ketë jo më pak se 40 përqind të aksioneve të shoqërisë e cila do të shfrytëzojë kantierin e Pashalimanit.

Për prodhimin e dronëve ushtarakë, partneri ku KAYO do të ketë jo më pak se 25% të aksioneve, do të jetë një shoqëri me bazë në Tajlandë, DrivesVision, me një eksperiencë mbi 20 vjeçare në këtë sektor.

I pyetur nga gazetarët nëse do t’ia lejonte presidentit Trump përdorimin e bazës ushtarake në Kuçovë, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi tha se SHBA-të janë aleatë strategjikë, kurse Shqipëria vend i NATO-s. Si rrjedhojë, baza e Kuçovës është e NATO-s, por mbetet për t’u parë nëse SHBA-të do të parasshtrojnë një kërkesë të tillë.
“Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie strategjike me SHBA-të. Që nga viti 2015 kemi marrëdhënie strategjike me ta, përtej angazhimit tonë në NATO. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse vjen një kërkesë e tillë nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s. Besoj se e gjithë vendimmarrja me këtë gjë, lidhet edhe me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, tha Nufi.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, informoi mbi vendimet e miratuara sot ndër të cilat veçoi programin kombëtar të parkimeve. Ky program, sipas ministrit Demo, do të prekë sidomos zonat urbane dhe bashkitë që kanë më shumë flukse turistike.
“Është një program që do të evidentojë të gjitha kapacitetet që janë në territor për ndërtimin e parkimeve të reja. Këto mund të bëhen edhe në bashkëpunim me sektorin privat”, shtoi ai.
Demo shprehu bindjen se ky program, në thelbin e vetë do të rrisë funksionalitetin e qyteteve dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve, sidomos në zonat urbane. Një tjetër vendim i miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është edhe granti prej 20 milionë eurosh i akorduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Demo theksoi se “tashmë ky grant është formësuar dhe shumë shpejt do të krijohet një logjistikë e plotë me mjete që janë të domosdoshme për bashkitë për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike si dhe për të përmirësuar infrastrukturën sidomos në zonat rurale”.
Po ashtu, Demi theksoi se në mbledhjen e sotme u përcaktuan zonat prioritare edhe në katër bashki të tjera në kuadër të Paketës së Maleve.
“Paketa e Maleve vazhdon të jetë në fokus të punës së bashkive. Javë pas jave ne miratojmë zona prioritare”, shtoi Demo
Qeveria ka miratuar një projekt të ri për qarkun Shkodër të quajtur Porta e Alpeve, njoftoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. 100 milionë euro në total do të përdoren për një sërë investimesh në infrastrukturë e transport me qëllimin për të krijuar një korridor mes Alpeve dhe Adriatikut. Kjo do të forcojë turizmin dhe zhvillmin ekonomik.
“Porta e Alpeve nënkupton një marrëveshje financimi me Bankën Europiane në 50 mln euro dhe 50 mln euro të alokuara nga buxheti i qeverisë shqiptare. 100 milionë euro në total për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta. Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë për rehabilitimin e shesheve urbane e rikonstruksionin e bulevardeve. Investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe Alpet. Investime në rrjet kanalizime-ujësjellës, transportin urban dhe elementët turistikë për menaxhimin e ndotjes urbane. Krijojmë për herë të parë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik për të pasur sezon turistik nga dimri në verë dhe ndihmuar zhvillimin ekonomik”, tha Karakaçi.
Mësuesit që kontribuojnë në programin pas shkolle do të paguhen me 1000 lekë ora. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se honorari i parashikuar nga 500 lekë do të jetë 1000, ndërsa thirrja është e hapur edhe për mësues në pension apo specialistë.
Programi pas shkolle është një nismë tashmë e miratuar nga qeveria që fëmijët të qëndrojnë në shkollë pas orarit të detyruar për të përfunduar detyrat apo për t’u marrë me aktivitete të ndryshme zejtare.
“Këshilli i Ministrave vendosi që të dyfishojë honorarin me të cilin shpërblehen këto orë jashtë mësimit të detyruar në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë, për 60 minuta. ishte parashikuar në 5 dhe kemi arritur në 10. E hapim listën e bashkëpunëtorëve jo vetëm për mësuesit që janë pjesë e sistemit, për mësues që janë në pension dhe janë aktivë, specialistë të ndryshëm të artit, muzikës, për artizanë që të bëhen pjesë e programeve jashtëshkollore ku shkollat sot do të kenë fondin e disponueshëm për të shpërblyer në mënyrë dinjitoze këta bashkëpunëtorë që vijnë nga komuniteti”, tha Kumbaro.











