Sardelet edhe pse janë ndër peshqit më të lirë në treg, renditen ndër ushqimet më të mira që nutricionistët i rekomandojnë. Në zinxhirin ushqimor, sardelet hyjnë tek 10 ushqimet më të shëndetshme për organizmin. Është i vetmi peshk në listë. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, rëndësinë që ato kanë në organizmin tonë, si dhe mënyrën sesi duhet t’i përgatisim dhe sa shpesh duhet t’i konsumojmë.
“100 gr sardele kanë 200 kalori, 12 gr yndyrna, 30 gr proteina. Kanë omega 3, vitaminë D, B12, B2, B3, B6, vitaminë A në sasi të vogël, kanë koenzimë Q10, kolagjen, selen, kalium, magnez, kalcium dhe fosfor. Të gjitha këto elementë ndikojnë në rigjenerimin e sistemit imunitar, në mëlçi, zemrër, sistemin tonë nervor, në problemet e anemisë. Sardelet ulin inflamacionin dhe stabilizojnë membranat qelizore. Konsumojini në mënyrë të rregullt, disa studiues thonë dy herë në javë, disa thonë 4-5 herë në muaj, në opinionin tim 4-5 herë në muaj është shumë mirë”, theksoi Joka.
Po cila është sardelja më e mirë, e freskët apo e konservuar?
“Më e mirë është sardelja e freskët sepse s’ka aditivë, mos i skuqni në vaj sepse oksidohen. Sardelet e konservuara kanë vajra vegjetalë dhe kripëra dhe këtu sardelja bëhet e dëmshme. Më e mira është ta konsumoni sardelen e freskët, është zgjedhja e parë, më pas vijnë sardelet e ngrira dhe më pas sardelet në konservë”, shpjegoi Joka.
Sardelet nuk rriten në rezervuat, ato duan ujë shumë të pastër, janë të lira dhe është shumë e kollajshme t’i përdorim. Edhe tek fëmijët rekomandohet, por në blender, është shumë e mirë 3 herë në javë, pas moshës 5-6 vjeç konsumohet një herë në javë.
“Sardelet duhen konsumuar bashkë me halat, pasi ato kanë shumë kalcium dhe është shumë i përthithshëm, merrni edhe vitaminë D dhe fosfor, të cilat ndikojnë në forcimin e imunitetit”, theksoi Joka.
Ja si t’i gatuani sardelet pa humbur vlerat e tyre
Në furrë dhe të zjera, pa kaluar në procese të tjera. Nëse i skuqni, ju do merrni omega 6 në nivele të lartë dhe do shtoni inflamacionin në trup. Kombinimi më i mirë është me hudhër, majdanoz, vaj ulliri, gjethe dafine, e shoqëruar me patate ose brokoli, ndërsa në furrë shoqërojini me avokado.
Sardelet nuk dëmtojnë në aspektin e kolesterolit, kjo është një mit.
“Ka nivele të larta të omega 3, por nuk dëmtojnë në aspektin kardiovaskular, madje rekomandohen të konsumohen natyrale dhe jo të konservuara sepse kanë kripë, aditivë dhe kimikate shtesë që lëshohen nga paketimi metalik”, shpjegoi nutricionisti Joka.
Komente











