I pranishëm në konferencën e 7-të që zhvillohet në Madrid, Koka theksoi se çështja e pyjeve është primare për Shqipërinë ashtu si të gjitha vendet e tjera evropiane.
Ministri tha se masat e marra nga qeveria shqiptare në këto dy vite si dhe firmosja e sotme është një hap përpara në rrugën drejt integrimit evropian.
“Nënshkrimi në këtë Konferencë Ministeriale konfirmon se politikat e vendit tonë në fushën e pyjeve janë në të njëjtën linjë me ato evropiane. Jam i bindur se angazhimi ynë në këtë drejtim, i shërben rritjes së mirëqenies dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë. Firmosja e sotme është hap konkret përpara, në rrugën tonë drejt integrimit evropian. Masat e deritanishme të ndërmarra në këto 2 vite si reformat administrative, moratoriumi i gjuetisë, ndalimi i eksportit të qymyrit, si dhe përgatitja e Ligjit të Pyjeve dhe Kullotave dhe amendimet në Kodin Penal garantojnë se Shqipëria është në rrugën e duhur për realizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e pyjeve”, u shpreh koka.
Ministri i mjedisit nënvizoi se qëllimi dhe objektivat e kësaj konference do të jenë pika kyçe në punën që do të zhvillohet në Shqipëri për hartimin e politikave dhe të legjislacionit në fuqi. Ai garantoi se programi i qeverisë shqiptare, si dhe masat që Ministria e Mjedisit është duke ndërmarrë për menaxhimin e pyjeve janë paralelisht me punën e Shqipërisë për integrimin në BE.
“Me rëndësi të veçantë në vendimet që kjo Konferencë mori është roli i pyjeve në sekuestrimin e karbonit dhe roli i tyre në zbutjen e ndryshimeve klimatike, shëndetin e njerëzimit, si dhe funksioni social ekonomik. Firmosja e dokumentave nga Shqipëria është një konfirmim i politikave dhe parimeve bazë të menaxhimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së pyjeve, që vendi ynë ka përshtatur me vendet e BE-së. Politikat dhe programi i Qeverisë Shqiptare, si dhe masat që Ministria e Mjedisit është duke ndërmarrë për menaxhimin e pyjeve në strategjitë afatgjata shkon paralelisht me punën e Shqipërisë për integrimin në BE, si dhe përgatitja nga Ministria e Mjedisit të legjislacionit në përputhje me legjislacionin evropian të pyjeve. Ky nënshkrim do të sjellë për Shqipërinë angazhimin në kontributin aktiv të realizimit të objektivave të dala nga Konferenca e 7-të Ministeriale për Mbrojtjen e Pyjeve në Evropë”, përfundoi ministri Koka.
Redaksia online
(o.m/shqiptarja.com)