TIRANË- Zv/kryeministri Italian që mban dhe detyrën e ministrit të Jashtëm Antonio Tajani ka nisur sot vizitën zyrtare në Shqipëri duke u ndalur në Portin e Shëngjinit, ku edhe është parashikuar që të ngrihet qendra për pritejen e refugjatëve. Në takimin pa praninë e mediave, Tajani është njohur nga afër me projektin dhe më pas është larguar.

Në orët e paradites, Tajani u takua me ministrin e Jashtëm Igli Hasani dhe më pas me kryeministrin Edi Rama. Përmes një postimi në rrjete sociale Rama jep lajmin se janë gati për firmosjen e Marrëveshjes së shumëpritur të pensioneve të shqiptarëve në Itali marrëveshja e pensioneve. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali. 

Në axhendën e publikuar të vizitës së ministrit të Jashtëm Italian është përjashtuar takimi me Sali Berishën, i cili është në prag të arrestimit. Dje 75 vota pro të mazhorancës Kuvendi autorizoi SPAK të arrestojë Berishën në hetim për aferën e privatizimit të kompleksit  ‘Partizani’.

I shpalluri ‘non grata’ i SHBA-së tradhtoi dhe besimin e aleatëve italianë e vetë Tajanit pasi çoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët përkundër garancisë që i kishte dhënë në një bisedë telefonike me të më 16 nëntorit, 10 ditë pas firmosjes së saj. Burime të sigurta nga shteti fqinj për Report Tv dhe Shqiptarja.com bënë të ditur atëherë se Berisha i kishte premtuar që nuk do të protestonte dhe as ta çonte në Gjykatë Kushtetuese.  

Këtë premtim Berisha ia kishte dhënë edhe deputetit të forcës së djathtë italiane, 'Forca Italia’ Alesandro Batilokio i cili mori pjesë në kuvendin kombëtar të thirrur nga ish kryeministri më 2 dhjetor 2023 bënë të ditur atëherë burime për Report Tv por as ky nuk u mbajt. E djathta italiane kritikoi Sali Berishën për qëndrimet e shprehura ndaj marrëveshjes. 

Duke mos e mbajtur premtimin Berisha më pas e çoi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit në 13 dhjetor 2023 mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen. Kryemistrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar. 

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në qeverinë italiane pak javë më parë dhe u dërgua në parlament për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:36
Rama takohet me Tajanin: Më në fund jemi gati për firmosjen e marrëveshjes së pensioneve të shqiptarëve në Itali 

 

Kryeministri Edi Rama ka pritur në takim Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani i cili ndodhet në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjete sociale Rama jep lajmin se më në fund do të firmoset marrëveshja e pensioneve.

"Me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani. Dhe me lajmin e mirë se më në fuuuund jemi gati për firmosjen e Marrëveshjes së shumëpritur të Pensioneve të shqiptarëve në Itali", thuhet në postimin e Ramës.

Ora 13:58
Ministri i Jashtëm pret homologun italian, Antonio Tajanin

 

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka pritur në një takim zyrtar homologun e tij italian Antonio Tajani, i cili mban edhe postin e zv.kryeministrit të Italisë. Në fokus të diskutimeve ishin mënyrat për të forcuar bashkëpunimin dy palësh.

"Mirëprita sot në mëngjes në Tiranë kolegu im i dashur ministër i Punëve të Jashtme Italiane dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani. Ne diskutuam mënyrat për të forcuar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dypalësh përpara takimeve të tij të ardhshme në Shqipëri sot” - shkruan Hasani.