Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga deputetët e grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët afrikanë. Në njoftimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese sqaron se duke qenë se padia është marrë në shqyrtim, atëherë automatikisht, pezullohet ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend, që pritej në seancën e ditës së nesërme 14 dhjetor.

Bëhet me dije se seanca për shqyrtimin e padisë, do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.

“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.

Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”- thuhet mes të tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pak orë para se Gjykata Kushtetuese të dilte me njoftimin ku sqaron se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët kundër marrëveshjes me Italinë, deputeti Gazment Bardhi akuzoi institucionin nëpërmjet një deklarate ku shprehej se vonesa për të marrë në shqyrtim kërkesën është e koordinuar me Ramën.

Kujtojmë se më 6 dhjetor, 30 deputetë të Bardhit dhe Berishës kanë dorëzuar në gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke e cilësuar si anti-kushtetuese. Në të njëjtën ditë edhe PD zyrtare me kryetar Lulzim Bashën, dorëzoi në GJK një padi kundër marrëveshjes, por padia është kthyer mbrapsht për mungesë dokumentacionesh.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane javën e kaluar dhe u dërgua në parlament për miratim.  Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.