Ministri Klosi prezanton projektligjin
për kostimin e mbetjeve urbane

Ministri Klosi prezanton projektligjin<br />për kostimin e mbetjeve urbane<br>
Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, zhvilloi një takim me  kryetarët e bashkive. Klosi prezantoi projektligjin për kostimin dhe tarifimin e mbetjeve urbane.
Qytetarët do të paguajnë për mbetjet urbane mbi një sistem të unifikuar dhe transparent për të gjithë. Këtë parashikon projektligji i kosto- tarifës së mbetjeve urbane, përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Projektligji që synon vendosjen e rregullave të barabarta, dhe të qarta iu prezantua kryetarëve të bashkive pikërisht nga Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Duke bërë një pasqyrë të përgjithshme të situatës së mbetjeve në vend dhe punës së deri tanishme ministri Klosi theksoi se menaxhimi i trajtimit të mbetjeve urbane është një hallkë shumë e rëndësishme për një Shqipëri të pastër. Ndër të tjera Klosi tha: “ Është e papranueshme që në vitin 2018 të kemi një sistem të çorganizuar të trajtimit të kostove dhe tarifave të trajtimit të mbetjeve urbane duke sjellë kosto të ndryshme nga një bashki në tjetrën, ndaj përgatitja e një formule nga ekspertët e fushës do të bëjë të mundur që të kemi transparencë në llogaritjen e kostove të menaxhimit të mbetjeve urbane, të kemi projekte të qarta e të mbrojtura si dhe kontrata të përcaktuara në bazë të normave dhe standardeve ”- tha ministri Klosi.

Projektligji sjell sistem të unifikuar dhe metodologji të njëjtë për vendosje çmimesh. Sistemi i unifikuar i kostimit dhe tarifimit të mbetjeve urbane synon rritjen e shkallës së mbrojtjes së mjedisit, zbatimin e standarteve më të mira në menaxhimin e mbetjeve urbane dhe planifikimin më të mirë të menaxhimit në tërësi. Mbështetja e parë si një projektvendim i mirëpritur prej vitesh, erdhi nga kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli.

Gjatë diskutimit me kryetarët e bashkive, ministri Klosi theksoi se duhet punuar për një menaxhim më të mirë të vendgrumbullimeve të vogla, që nga fshati deri në qytetet e mëdha, me qëllim ndarjen në burim të mbejtjeve.
Një sistem më i thjeshtë,do të ishte më efikas dhe do të zgjidhte problematikën e mbetjeve, në pritje të realizimit të zgjidhjeve afatgjata siç janë landfillet apo inceneratorët.
Duke i vlerësuar bashkitë si aleatët më të mëdhenj, ministri Klosi kërkoi mbështetjen dhe angazhimin e pushtetit vendor në zbatimin me sukses të fushatës “Clean and Green 2020”.

Fjala e  plotë e ministrit Klosi

"Jemi këtu për të ndarë me ju një projekt disavjeçar, por që asnjëherë nuk ka pasur forcën që të shkonte përpara, që ka të bëjë me pastrimin e Shqipërisë. Fushata jonë “Clean and Greeen 2020” është e pamundur në çdo centimetër të saj të realizohet pa bashkëpunimin e pushtetit vendor. E kam thënë që në krye të herës që kur mora këtë detyrë dhe dua shumë që ta vazhdoj këtë bisedë me të gjithë Kryetarët e bashkive sepse ata janë aleatët më të mëdhenj dhe të vetmit aleatë e njerëz që kanë gjë në dorë për të bërë që Shqipëria të jetë më e pastër dhe më e gjelbëruar.

Ne përfitojmë nga rasti që të paraqesim një nga hallkat e punës sonë përsa i përket projektit “Clean and Green 2020” që është projektligji për kostimin e tarifimin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Është e papranueshme që thashë prapë në vitin 2018 të kemi një sistem të corganizuar të trajtimit të kostove dhe tarifave të trajtimit të mbetjeve urbane. Është e papranueshme që qytete të mëdha që nuk e bëjnë dot nga një kompani trajtimin e mbetjeve, që e bëjnë nga dy, që e bëjnë nga tre, që e bëjnë nga pesë, çdonjëra ka një mënyrë tjetër tarifimi dhe kostoje. Ndryshe është kosto në Tiranë, ndryshe në bashkinë e Durrësit, ndryshe nga Fieri, ndryshe nga Ura Vajgurore, ndryshe nga Berati.

Sistemi që do të paraqesë zvministrja kërkon realisht tre gjëra; rritjen e shkallës së mbrojtjes së mjedisit, duke u përpjekur që të kemi politika reale edhe transparente, por edhe të shitshme pastaj, që themi që kaq është kosto; zbatimin e standarteve më të mira në menaxhimin e mbetjeve urbane; planifikimin më të mirë të menaxhimit në tërësi, pra çfarë kostoje duhet të ketë, çfarë kostoje ka kazani, çfarë kostoje ka fshirja, çfarë kostoje ka transporti, çfarë kostoje ka landfilli, e çfarë kostoje kanë të gjitha problematikat.

Prandaj përgatitja e e këtij projekvendimi dhe përgatitja e një formule nga ekspertët e fushës do të na bëjë të mundur që ne të kemi transparencë në përgatitjen e kostove të menaxhimit të mbetjeve urbane , të kemi projekte të qarta dhe të mbrojtura edhe karshi qytetarëve, edhe karshi oponencës së brendshme edhe karshi vetë adminstratorit të lartë publik që është kryetari i bashkisë , edhe të kemi kontrata të përcaktuara në bazë të normave dhe standarteve. Pra jo një kryetar bashkie e gjykon në një mënyrë përllogaritjen e kostos dhe një kryetar tjetër e gjykon në mënyrë tjetër.

Mendoj që ka ardhur koha që të kemi një sistem të unifikuar, ku të futen të dhënat e secilës bashki,se jo të gjitha kanë të njëjtat problem, por ne e kemi shumë të nevojshme, që së bashku me ju, në një operacion që e kemi nisur tashmë në bashkëpunim të ngushtë me prefektët për të përcaktuar edhe një hartë të landfilleve dhe të zonave të vendngrumbullimit të mbetjeve në Shqipëri. Unë i qëndroj fort ", u shpreh Klosi.

a.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament