Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë Kujtim Shala
PRISHTINË, 19 Qershor/ATSH/.- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, me rastin e pranimit të Federatës së Aeronautikës të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Aeronautikës, uroi drejtuesit e federatës dhe aeronautikët e Kosovës.
Ministri përgëzoi drejtuesit e Federatës Aeronautike të Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për pranimin e aeronautikës kosovare në Federatën Ndërkombëtare të Aeronautikës. Po ashtu, ministri Shala, uroi suksese të mëtejshme në avancimin e këtij sporti.
"Në vazhdën e avancimit dhe pranimit të sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm, që ndihmon dhe përshpejton ndërkombëtarizimin dhe njohjen e sportit kosovar në botë", ka theksuar ministri Shala, duke shtuar se "MKRS-ja do vazhdojë të mbështesë në vazhdimësi sportin e Kosovës, sidomos në ngritjen cilësore dhe në afirmimin e tij në rrafshin ndërkombëtar."
/m.m/