Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, hodhi poshtë sot lajmet e publikuara në disa portale që pretendonin se ai kishte dhënë dorëheqjen.
Gjatë vizitës që zhvilloi në Berat për inaugurimin e ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë, Lamallari u pyet nga gazetarët rreth këtyre zërave por zgjodhi të përgjigjej shkurt.
"Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë" tha Lamallari
Ministri, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi godinën e re, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 253 milionë lekë.
"Ky është një investim me impakt të madh social. Në fund të ditës, gjithçka bëhet për t'u garantuar qytetarëve një trajtim sa më dinjitoz dhe një shërbim sa më cilësor. Synimi ynë është të forcojmë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, sepse siguria ndërtohet përmes bashkëpunimit," deklaroi Lamallari.
Sipas Lamallarit, ambientet e reja përmirësojnë kushtet e punës për efektivët, por edhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.
“Janë ambiente absolutisht bashkëkohore, një investim i qeverisë shqiptare që ofron komoditet dhe dinjitet për punonjësit e Policisë së Shtetit. Por theksi ynë mbetet tek bashkëpunimi me qytetarët dhe trajtimi i tyre me etikë, mirësjellje dhe respekt në çdo shërbim që marrin,” u shpreh ai.
Lamallari tha se hapësirat e pritjes, shoqërimit dhe intervistimit të të miturve janë ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Popullit.
Ai vlerësoi gjithashtu situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke e cilësuar atë si një nga zonat që spikat për rendin dhe qetësinë publike. Sipas tij, siguria është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.
"Turizmi zhvillohet kur kemi më shumë siguri, më shumë bashkëpunim dhe më shumë besim të qytetarëve te Policia e Shtetit. Kjo është prioriteti ynë," tha ai.
Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutuan edhe masat për sezonin turistik, përfshirë zbatimin e ndryshimeve në udhëzimin e përbashkët për zhurmat, me synimin për të garantuar një mjedis më të qetë për qytetarët dhe vizitorët.
Lamallari tha se me këtë investim përmbyllet cikli i investimeve në drejtoritë vendore dhe komisariatet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, duke shtuar se qeveria ka investuar jo vetëm në infrastrukturë dhe teknologji, por edhe në përmirësimin e kushteve për efektivët.

Godina e rikonstruktuar e Policië së Beratit do të përmirësojë kushtet e punës së efektivëve dhe shërbimin ndaj qytetarëve, tha kryepolici Hita. Interesimit të mediave për nivelin e ulët të kriminialitetit në këtë qytet, ai iu përgjigj me vlerësime për punën e kryer, por tha se lufta ndaj shpërndarjes e kultivimit të drogës mbeten gjithnjë në fokus.
Skënder Hita: Ky është një investim shumë i rëndësishëm, i cili, përtej përmirësimit të kushteve të punës për punonjësit e Policisë së Shtetit, do t’u shërbejë drejtpërdrejt edhe qytetarëve të Beratit dhe të gjithë qarkut, duke u ofruar një shërbim edhe më cilësor. Këto ambiente moderne, të ndërthurura me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë ndaj qytetarëve, do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në forcimin e sigurisë, si për banorët e këtij qarku, ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin e Beratit.
-Sipas sondazheve që kemi bërë, Drejtoria Vendore e Policisë Berat renditet e para për rendin dhe qetësinë. Si e vlerësoni këtë?
Skënder Hita: Ashtu si Drejtoria Vendore e Policisë Berat, edhe drejtoritë e tjera vendore punojnë çdo ditë për të garantuar sigurinë dhe për të përmirësuar parametrat e rendit publik në zonat që mbulojnë. Drejtoria Vendore e Policisë Berat, duke pasur një numër shumë të ulët të krimeve të rënda, renditet ndër drejtoritë me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se, për shkak të këtij niveli të ulët, ne do të ulim vëmendjen ndaj fenomeneve kriminale. Edhe gjatë takimit të sotëm diskutuam për çështje që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, si shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimi i bimëve narkotike, fenomene që prekin të gjithë shoqërinë. Këto problematika do të jenë në fokus të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ashtu si edhe i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.
Komente











