TIRANE- Menjëherë pas skandalit të botuar në gazetën “Shqiptarja.com”, ku tregohej se si Gjykakta e Apelit Vlorë kishte liruar një shumë të kërkuar të drejtësisë italiane, ka reaguar ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i cili ka urdhëruar inspektim në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier dhe në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Ministri Z.Nasip Naço, ka ngritur një grup pune për këtë çështje, duke i lënë detyrë të verifikojë ligjshmërinë e dy vendimeve të marra nga dy gjykatat në Fier e Vlorë, për lirimin e biznesmenit Fierak Arben Gropa, allias Vangjel Zijaj. Pritet që ditën e sotme në drejtim të Fierit e Vlorës të udhëtojnë anëtarët e këtij grupi inspektimi, ku do të verifikojnë me imtësi të gjithë praktikën ligjore që është ndjekur për këtë rast në të dyja gjykatat respektive.

Paralajmërohen masa
Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë të kontaktuar nga “Shqiptarja.com” pohuan se inspektimi për rastin e lirimit të Arben Gropës, do të nisë ditën e sotme, ku do të analizohen me përpikmëri të dyja vendimet. Sipas tyre nëse do evidentohen shkelje do të merren masa të menjëhershme për penalizimin e gjyqtarëve, duke marrë masa administrative ndaj tyre. Për momentin inspektimi është në fazën fillestare dhe nuk mund të flitet për konkluzione.

Biznesmeni Arben Gropa ka qëndruar vetëm një muaj në burg, ndërkohë që është liruar nga Gjykata e Apelit Vlorë në datën 20 shkurt të këtij viti. Momentalisht nuk është zbardhur vendimi i arsyetuar i gjykatës, por gjatë zhvillimit të seancës avokati mbrojtës i biznesmenit Arben Gropa kërkoi lirimin duke përdorur argumentin e keqmenaxhimit të biznesit dhe mos pasjes rrezik për arratisje.

Reagimi i ministrisë
Në reagimin e ministrisë së Drejtësisë thuhet se:”… në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës; të nenit 6 pika 9, të Ligjit nr.8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar; dhe të neneve 31 e vijues të Ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e inspektimit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Gjykatën e Apelit Vlorë, për verifikimin e procedurave gjyqësore të zbatuara gjatë gjykimit të kërkesës penale me objekt: Miratim të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktim mase sigurimi “arrest në burg”, për efekt ekstradimi, ndaj shtetasit Vangjel Zijaj, alias Arben Gropa.

Shtetasi Vangjel Zijaj (alias Arben Gropa),është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, (autoritetet e Gjykatës së Romës), për veprën penale të trafikut të drogës. Ai rezulton të jetë i dënuar tre here herë të ndryshme me një periudhë totale dënimi 32 vjet e gjashtë muaj. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka dhënë vendimin “arrest me burg” (22.01.2014), ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë me anë të vendimit nr. 70 datë 20.2.2014 ka ndryshuar masën e sigurimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Fier, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”….”-thuhet në reagimin e ministrisë së Drejtësisë.
 
KLD:S’mund të inspektojmë paralelisht
 Lirimi i biznesmenit Arben Gropa, ka vënë në lëvizje dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili ka reaguar duke pohuar se nuk mund të inspektojnë paralelisht, por do të ndjekë me shumë vëmëndje rastin në fjalë. Zëdhënësi i KLD-së, Elis Kuçi, është shprehur se: “KLD është vënë në dijeni për rastin e publikuar. Gjithashtu zëvendëskryetari i KLD është vënë në dijeni që ministri i Drejtësisë ka urdhëruar inspektim për rastin në fjalë. Referuar memorandumit të nënshkruar nga ministria e Drejtësisë dhe KLD, inspektoriati i KLD-së nuk mund të nisë inspektim për të njëjtën çështje. Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është i gatshëm të ushtrojë inspektim të përbashkët me ministrinë, nëse i kërkohet një gjë e tillë nga zyrtarët e ministries”.

Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)