TIRANE- Pas shqetësimit të ngritur nga ministri i Brendshëm lidhur me vendimet e dhëna nga gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë. Ministri Naço ka urdhëruar ndërkaq, inspektim ndaj gjyqtari Osman Aliu, ndërsa shqetësime lidhur me punën e tij ka pasur edhe nga Komisariati i Policisë Kavajë.

"Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 6/ 8, 9 të ligjit Nr.8678, datë 14.05.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, të nenit 31 e vijues të Ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 31 të Ligjit Nr.8811, datë 17.05.2001“Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar; Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka urdhëruar ushtrimin e inspektimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe Gjykatën e Apelit Durrrës me objekt: “Verifikimin e zbatimit të dispozitave procedurale penale dhe administrative, nga gjyqtari Osman Aliu, në gjykimin e kërkesave për vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal.

Inpektimi i veprimtarisë së gjyqtarit Osman Aliu do të ndermërret mbi bazën e shqetësimeve të paraqitura nga Ministria e Brendshme dhe do të përfshijë vendimet gjyqësore të shpallura nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe Gjykata e Apelit Durrës, për periudhën 01.01.2014 deri më 28.03.2014.", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
 
Lidhur më këtë inspektim, ministri Naço inkurajoi pavarësinë e sistemit gjyqësor, duke u bazuar sipas tij në zbatimin e ligjit.

Kreu i Drejtësisë tha se institucioni që ai drejton “nuk do të ndalet përballë abuzimeve me detyrën”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)