
Foto: Andis Salla
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhet në Mamurras, së bashku me Kryetaren e Bashkisë, Majlinda Cara, në një vizitë në fermën e fermeres Flora Brozi, e cila mbarështon rreth 120 krerë bagëti dhe shpendë.
Si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit dhe problematikave të krijuara nga përmbytjet, është asistuar në evakuimin e tufës së bagëtive, e cila aktualisht është sistemuar në zonën e Fushë-Milotit, duke garantuar sigurinë e gjësë së gjallë dhe vijimësinë e aktivitetit blegtoral.
Salla bëri me dije se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me grupet e verifikimit të bashkive, ndodhet në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, ushqimin për kafshë dhe në bujqësi. Procesi i verifikimit po kryhet jo vetëm për fermën e Flora Brozit, por edhe për të gjithë fermerët e tjerë të prekur nga situata e krijuar.
Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, me qëllim mbështetjen e fermerëve dhe vlerësimin e plotë të pasojave të reshjeve intensive në zonat e prekura.
Lajmi kryesor:
Moti i keq në Shqipëri/ Lumenjtë dalin përsëri nga shtrati, hidrocentrali i Fierzës nis shkarkimet










