PRISHTINË, 16 Dhjetor /ATSH/.-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uroi sot drejtuesit e Federatës së Karatesë të Kosovës dhe karateistët kosovarë, pas pranimit të FKK-së në Federatën Botërore të Karatesë.
Ministri kosovar Shala përgëzon karateistët për këtë arritje të madhe duke u uruar suksese dhe korrje të rezultateve sa më të mëdha në garat që do të zhvillojnë, duke falënderuar gjithashtu edhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi.
"Pranimi i FKK-së është një lajm i mirë dhe është tepër e rëndësishme që kësaj federate i janë hapur dyert për gara në ngjarjet ndërkombëtare. Ky është kurorëzim i një pune dhe angazhimi të shumë njerëzve", shprehet ai.
Ministri Shala thekson se "pranimi i FKK-së në Federatën Botërore të Karatesë është një inkurajim shtesë për institucionet e sportit, dhe ky pranim ka shënuar një hap drejt ndërkombëtarizimit të plotë të sportit të Kosovës", thekson ministri Shala. /b.j/k.s/