Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit i kanë shpallur luftë informalitetit dhe pandëshkueshmërisë për të krijuar një shtet ligjor, i cili garanton të ardhmen e të gjithëve, tha të enjten nga foltorja e Kuvendit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Ministri Tahiri në fjalën e tij vuri theksin tek rëndësia që ka për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit  zbatueshmëria e ligjit. Sipas tij, nëse sot nuk punohet për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, ndërtuesit abuzive, vjedhësit e energjisë elektrike, nesër fëmijët do të zgjohen në një vend të betonizuar ku paligjshmëria është në rend të ditës.
"Jemi në një kohë ku Qeveria po vendos përballë njëri tjetrit qytetarin që zbaton ligjin dhe atë që nuk e zbaton ligjin dhe shteti, qeveria, është krah të qytetarëve që e zbatojnë ligjin dhe po ndëshkon qytetarët që nuk zbatojnë ligjin", theksoi Tahri.


Duke folur për operacionin "Hajdutët e Energjisë Elektrike", ai bëri të ditur se ky operacion nuk  duhet keqkuptuar si betejë e kryeministrit apo e qeverisë me disa njerëz që janë mësuar të vjedhin energjinë elektrike. Kjo nuk është kaq, por është beteja e të ndershmëve që paguajne energjinë elektrike, ndaj atyre të cilët vidhnin energji elektrike dhe nuk ndëshkoheshin, pasi askush nuk i prekte. "Vetëm në dy ditë operacion janë arrestuar 115 shtetas, mbi 5 punonjës të OSSHE dhe dhjetra të tjerë në hetime. Po ashtu, janë shpallur në kërkim 31 persona të tjerë  në kuadër të ketij operaiconi", nënvizoi Tahiri.

"Këto shifra, vijoi ai, janë shumë më pak se masa e paligjshmërisë që ndodhet në terren. Këto shifra mjaftojnë për t'i treguar këtyre personave se nuk do të ketë tolerancë. Në këto dy ditë kaq pak shifra i kanë mjaftuar një pjese të madhe të qytetarëve për të ndërprerë vetë lidhjet e paligjshme apo për të paguar ato që kishin lënë pa paguar", vijoi ministri i Brendshëm.

Tahiri tha se nuk është ky operacion që do uli ndjeshëm indeksin e kriminalitetit në vendin tonë, por ky operacion do të jetë shenjë e luftës që qeveria i ka shpallur të paligjshmes. "Ky operacion, ashtu si dhe operacionet e tjera për ndërtimet pa leje etj, ndikon ndjeshëm në përceptim se shteti ligjor po vendoset dhe qytetarët që deri dje ishin në dilemë mes të jetuarit mes botës së informalitetit dhe të ligjshmes, të zgjedhin këtë të dytën, pasi është me e sigurtë dhe afatgjatë, ndërsa e para ndëshkohet", nënvizoi Tahiri.

Ministri iBrendshem në fund të fjalës së tij theksoi se kjo betejë mes te ligjshmes dhe të paligjshmes ka një qëllim madhor, për t'u dhënë fëmijëve tanë një të ardhme. "Nuk duam që nesër fëmijët tanë të zgjohen në një botë të betonizuar dhe ku shkelja e ligjit kurorëzohet, jo, ne duam që fëmijët të zgjohen ne një botë ku e ardhmja është e sigurt, ligji dhe e drejta mbizotërojnë", nënvizoi ministri Tahiri, i cili për këtë kërkoi mbështetjen e të gjiithëve, si dhe opozitës. 

ATSH

 
.