TIRANE - Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve, lidhur me nismën e fundit të qeverisë për grumbullimin e armëve pa leje. Ministri e cilësoi këtë nismë si një objektiv madhor të qeverisë dhe një borxh ndaj qytetarëve.

“Jemi në një situatë ku rendi dhe siguria janë në nivelin më të lartë, duke e krahasuar me vitet e shkuara. Mendoj se qytetarët tashmë duhet të ndërgjegjësohen dhe të shohin tek policia partnerin e tyre ideal e ata që kanë armë pa leje t’i dorëzojnë. Dua të them se për ata që dorëzojnë në mënyrë vullnetare armët nuk do të ketë pasoja ligjore. Këtë punën e armëve e kemi dhuratë nga qeveria e shkuar, por është një objektiv madhor që duhet ndërmarrë, prandaj dhe i bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkëpunojnë”, tha Tahiri.

Këto deklarata ministri Tahiri i bëri gjatë takimit që zhvilloi sot me banorët e Kombinatit, të cilëve u premtoi mbështetje të plotë për të kaluar vështirësitë që kanë për shkak të përmbytjeve.

(er.nu/shqiptarja.com)