Shqipëria është pajisur zyrtarisht me sistemin raketor kundërtank “Javelin”, një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes që përdoret nga vendet anëtare të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se ardhja e këtij sistemi është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit, pajisja e Forcave të Armatosura Shqiptare me sistemin “Javelin” përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe në përmbushjen e objektivave të modernizimit të ushtrisë.

“Ardhja e sistemeve Javelin, falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Çfarë është sistemi “Javelin”?

Sistemi “Javelin” konsiderohet një element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Forcës Tokësore për të përballuar kërcënime të avancuara dhe për të vepruar në përputhje me standardet e Aleancës.

“Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA. Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO si dhe në operacione reale luftarake.

Shqipëria e ka porositur sistemin “Javelin” në kuadër të programeve të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara, përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja (Foreign Military Sales – FMS). Ky investim është pjesë e strategjisë afatgjatë të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së parandalimit dhe përafrimit të plotë me kapacitetet dhe doktrinën e NATO-s.