Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi sot (28 Gusht) edhe vendimet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në lidhje me sektorin që mbulon, ku bien në sy ato për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për punonjësit dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake dhe gjithashtu të detyrimeve të 3 ish-uzinave të armëve ndaj pushtetit lokal.
Ai theksoi se janë marrë vendime të rëndësishme për mbrojtjen, në veçanti edhe për “sigurimin e jetës për misionet ushtarake jashtë vendit”, ku efektivët shqiptarë hasin edhe vështirësi nga më të ndryshmet.
“Me këtë pakete sigurohemi që të gjitha forcat tona jashtë kanë mbulimin e nevojshëm për vështirësitë qe hasin dhe përballen në misionet jashtë vendit”, tha ndër të tjera Vengu.
![]()
Gjithashtu ai shtoi se është miratuar me të njëjtin akt normativ edhe vendimi që “siguron tre elementë në industrinë ushtarake”.
Kjo në lidhje me çështjen e vështirësive të hasura nga industria ushtarake ndër vite, kryesisht ish-uzinat e armëve, duke mundësuar ndërhyrjen e Qeverisë dhe ndihmuar këto industri dhe punonjësit e tyre. Vengu theksoi vështirësitë që kanë hasur këto industri, sikurse edhe pushteti vendor bashkë me to, në zonat administrative ku dhe ndodhen.
Bëhet fjalë për ish-uzinat në Mjekës, Gramsh dhe Poliçan.
“Janë 3 industri ushtarake, tre komplekse ushtarake që u vijmë në ndihmë. Ka njerëz që kanë dhënë kontribut të çmuar dhe të gjatë në këtë sektor dhe i japim fund kalvarit të gjatë, duke shlyer detyrimet e prapambetura të punonjësve dhe ish-punonjësve. Sikundër i japim fund edhe një kalvari të gjatë dhe detyrimeve që këto kompani kishin, edhe ndaj pushtetit vendor, bashkive. Ndaj edhe paketa e miratuar në Aktin Normativ vjen në mbështetje edhe të pushtetit vendor, për vështirësitë ekonomike të ndërmarrjeve shtetërore me detyrime të akumuluara”, tha Vengu.
Ministri theksoi se me këto nisma e akte normative, “shlyejmë detyrimet e tre ish-uzinave ushtarake të armëve”.
Në fund ai lajmëroi edhe nismën e qeverisë dhe ministrisë me pikën e tretë të Aktit Normativ.
“Mbështetje me paketë financiare për krijimin, rikrijimin, rijetëzimin e një kompanie shtetërore me instrumente financiare ligjore, e cila do ketë instumentet ligjore financiare për të hyrë në marrëveshje bashkëpunim me industri apo investitorë të huaj, të vendeve partnere të NATO-s, për ta rijetëzuar këtë industri kaq të rëndësishme”, tha ministri i Mbrojtjes.
Mbledhja e Këshillit të Ministrave u mbajt sot (28 Gusht) dhe u morën vendime të rëndësishme në shumë sektorë dhe ministri.
A.Q/Shqiptarja.comKomente

