Dështimi në zbatimin e udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për të ndaluar kategorikisht përdorimin e telefonave në klasat mësimore ka nxitur publikimin për të disatin vit të një tjetër udhëzimi të ri me përmbajtje të vjetër, që ndalon përdorimin e celularëve gjatë procesit mësimor si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit. Me udhëzime pothuaj identike vit pas viti këtij fenomeni duket se nuk po i vihet fre.

Në udhëzimin numër 34 në vitit 2018, që publikohet sërish edhe këtë vit, është kërkuar ndalimi i përdorimit të celularëve, sekuestrimi dhe gjithashtu parashikohen masa displinore të përdorimit të saj në shkolla, por duket se të njëjtë fjalë janë transferuar me një udhëzim të ri të firmosur nga dy ministri ajo e Arsimit dhe Ministrisë së Financave.

“Institucionet arsimore vendore dhe parauniversitare të marrin masa për zbatimin e urdhrit për mospërdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkolla dhe për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare”, thuhet në udhëzim.

Ky udhëzim synon të eliminojë përdorimin e telefonëve në shkolla e cila shpesh bëhet shkak për shpërqendrimin e nxënësve dhe prishjen e orëve mësimore.

Në rast konstatimi të përdorimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e shkollave, drejtori i shkollës do të sekuestrojë telefonin celular, si dhe do të zbatojë masa disiplinore. Telefoni i marrë do të depozitohet pranë institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Për masat e marra ndaj nxënësit, njoftohen me shkrim prindërit ose kujdestari ligjor i nxënësit.

Drejtoritë e institucioneve arsimore, nga ana tjetër, duhet të rishikojnë rregulloren e brendshme të shkollës, duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit, në mjediset e tyre. Gjithashtu kërkohet të merren masa për të organizuar takime me prindërit për njohjen me rregulloren e re; të vendosin në çdo klasë poster për ndalimin e telefonit celular; dhe nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të mësuesit të klasës me prindin ose kujdestarin ligjor.