TIRANE- Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli në tetor të vitit që lamë pas, përmes një letre të hapur u kërkoi të gjithë drejtuesve të shkollave të arsimit parauniversitar të shkëpusnin çdo lloj marrëdhënie me subjektet private që ushtronin aktivitetin e tyre në brendësi të secilit prej institucioneve arsimore.

Duke qenë se shumë prej institucioneve arsimore kanë qenë në marrëdhënie ekonomike me subjekte të caktuar, duke u ofruar ambjente me qera apo në përdorim brenda shkollave, u kërkua që të gjitha këto marrëveshje të ndërpriteshin. Urdhri i Ministres Nikolli, u zbatua nga të gjitha institucionet arsimore por, në mbyllje të gjithë këtyre subjekteve që ndodhen në brendësi të shkollave, ato vazhduan aktivitetin e tyre pas mureve dhe hekurave të shkollave.

Edhe pse në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Arsimit, këta tregëtar ambulantë filluan të shesin produkte ushqimore dhe mallra të ndryshëm ushqimor jashtë çdo lloj kontrolli. Në një monitorim, në disa prej shkollave të kryeqytetit nga Shqiptarja.com është vënë re se gjatë periudhës së pushimit, midis orëve por sidomos gjatë pushimit të drekës, nxënësit e disa prej shkollave lejohen të dalin nga dyert e shkollave të tyre dhe të blejnë produktet ushqimore që ofrohen pranë shkollave të tyre.

Gjatë ditës së djeshme 5 nxënës të gjimnazit “Myslym Keta” në afërsi të zonës së Kombinatit janë helmuar pikërisht prej konsumimit të këtyre ushqimeve që kanë konsumuar në afërsi të shkollës së tyre. Menjëherë nxënësit janë dërguar me urgjencë në QSUT për të marrë ndihmën e parë, ndërkohë që shitësit ambulantë kanë vazhduar të shesin pa shqetësimin e asnjë prej autoriteteve. Sipas dëshmive të vetë studentëve, rasti i djeshëm nuk është rasti i parë në të cilin ata pësojnë helmime nga produktet që ata blejnë.

“ Kjo është një situatë që këtu ndodh vazhdimisht edhe do të vazhdoj të ndodhi për aq kohë sa këta shitës, nuk i kontrollon askush për mënyrën sesi i bëjnë produktet ushqimore që ata shesin dhe për cilësinë e secilit produkt”, shprehet për Shqiptarja.com Ornela, nxënësja e vitit të dytë në shkollën “Myslym Keta”.

Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)