Fondet e IPARD III, tha Ministri i Bujqësisë do të hapen brenda këtij viti. Nga foltorja e Kuvendit Andis Salla tha se detyrat janë përmbushur dhe 146 milionë euro do të jenë në duart e fermerëve së shpejti. Fondet e IPARD janë të bllokuara prej 3 vitesh, për shkak të dyshimeve për abuzime.

***

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dorëzuar në Bruksel më 2 prill dosjen me detyrat e përmbushura për të garantuar mbrojtjen e fondeve të BE-së, në mënyrë që të hapet rruga edhe për zhbllokimin e fondeve IPARD III.

Hapi i radhës është kërkesa për të akredituar masat që do të mbështeten me paratë e BE-së, pasi me bllokimin e fondeve në 2023-shin, akreditimet duhet të bëhen rishtazi, dhe më pas nis financimi i fermerëve.

Pavarësisht se nga BE, nuk jepen afate për zhbllokimin e fondeve të IPARD III, ministri i Bujqësisë Andis Salla teksa ju përgjigj pyetjeve të deputetit të Partisë së Lirisë Tedi Blushi, tha në Kuvend se brenda vitit fondet do të jenë në duart e fermerëve.

“A mund t’i japësh sqarime të gjithë fermerëve se përse për të tretin vit radhazi BE nuk çel fondet e IPARD”, pyet Tedi Blushi.

“Kemi përmbushur të gjitha procedurat që na është kërkuar për pjesën e IPARD dhe shumë shpejt IPARD, brenda vitit, është pjesë e qytetarëve dhe fermerëve shqiptarë. 146 milionë euro në total do të jenë në dispozicion të fermerëve për të aplikuar dhe për të çuar bujqësinë shqiptare në një tjetër nivel ku ne jemi duke shkuar për të përmirësuar të gjitha fermat shqiptare dhe të gjitha ato që do të jenë pjesë e IPARD”, tha ministri Salla.

IPARD III ka 9 masa në total dhe vlera e parave që pritet të përfitojnë fermerët shqiptar është 112 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe 34 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ky program do të mbështesë fusha si infrastruktura rurale, ndërtimi i tregjeve, Agro-përpunimi apo Agro-turizmi, pylltaria, asistenca teknike e këshillimi.

Prej gushtit të vitit 2023, Shqipëria nuk përfiton fonde nga BE për bujqësinë, pasi IPARD II u bllokua pasi u konstatuan abuzime me shpërndarjen e fondeve, pas hetimeve që nisën nga denoncime të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.

Dosja me abuzimet e dyshuara me fondet e IPARD, aktualisht po hetohet nga drejtësia shqiptare, e cila ka nisur të marrë të pandehurit e parë si dhe ka marrë në pyetje edhe zyrtarë.