TIRANË - Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Italiane të Blegtorëve (AIA).
Zyra e shtypit pranë kësaj ministrie bëri të ditur se marrëveshja u nënshkrua nga Ministri Edmond Panariti dhe Presidenti i kësaj shoqate Pietro Salcuni.
Marrëveshja synon një bashkëpunim afatgjatë në Shqipëri, nëpërmjet një kërkimi të përbashkët të burimeve financiare si dhe ato evropiane për realizimin e veprimtarive që kanë të bëjnë me përmirësimin racor të kafshëve dhe mirëqenien e tyre dhe modernizimin e sektorit të zooteknisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomive zooteknike. Ajo synon edhe vlerësimin e prodhimeve tipike të zooteknisë shqiptare, duke realizuar një sistem të gjurmueshmërisë së prodhimit, si dhe vënien në zbatim të sistemeve të cilësisë në përputhje me standardet e Komunitetit Evropian.
Në pikat kryesore të kësaj marrëveshje synohet krijimi i librit gjenealogjik dhe librit të të dhënave ekonomike e prodhuese, zhvillimin e një sistemi të informatizuar për adminstrimin e të dhënave ekonomike e prodhuese të blegtorëve, krijimin e Bankës Gjenetike të Gjermoplazmës si dhe krijimimin e një Enti Kombëtar të Çertifikimit të Prodhimeve Zooteknike.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave do të krijojë së bashku me Shoqatën Italiane të Blegtorëve një grup pune me objektivin për të zbatuar programin operativ të aktiviteteve dhe kohën që do të zhvillohen./ATSH/











