TIRANË, 19 Shtator/ATSH/- Ministria e Financave nis të hënën negociatat me institucionet buxhetore lidhur me projektbuxhetin e vitit 2016.
Të gjitha institucionet buxhetore kanë dorëzuar në fillim të muajit shtator projektbuxhetin për vitin 2016, ndërsa tani Ministria e Financave, përmes një kalendari të paracaktuar negocion buxhetet me të gjitha këto institucione.
"Janë analizuar nga stafi i Ministrisë së Financave dhe në përputhje me kalendarin e brendshëm që kemi ne, do të negociojmë me të gjitha institucionet për të diskutuar mbi kërkesat e tyre buxhetore dhe për të akomoduar të gjitha nevojat që ne i konsiderojmë prioritare", thanë burimet.
Në kuadrin makroekonomik e fiskal, për periudhën 2016 -2018, për vitin e ardhshëm të ardhurat planifikohet të arrijnë 422.9 miliardë lekë, shpenzimet 464.9 miliardë lekë, ndërsa defiçiti 41.9 miliardë lekë.
P/buxheti pas përfundimit të negociatave me institucionet do të konsultohet edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një mision i të cilit pritet të mbërrijë në Tiranë, në mesin e muajit tetor.
Kjo u konfirmua edhe nga vet ministri i Financave, Shkëlqim Cani në fillim të këtij muaji. Sipas tij, pr/buxheti do të konsultohet edhe me ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili pritet të mbërrijë në vendin tonë në gjysmën e dytë të muajit tetor.
"Ekipi i FMN-së duhet të mbërrijë në Tiranë në pjesën e dytë të muajit tetor. Ne do të konsultojmë buxhetin bashkë me ekipin e FMN-së për të patur një mirëkuptim jo se FMN-ja e çertifikon atë", deklaroi ministri Cani. Ai informoi edhe mbi pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të FMN-së në fillim të muajit tetor.
Pr/buxheti i vitit 2016 pas miratimit nga qeveria në fund të muajit tetor do të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare të Kuvendit. Komisionet parlamentare do të shqyrtojnë p/buxhetin në parim dhe nen për nen gjatë muajit nëntor për t'u miratuar më pas në seancë të posaçme plenare në fillim të muajit dhjetor . Ai hyn në fuqi nga data 1 janar 2016./a.gjonaj/ /a.g/










