"Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas kësaj ankese, ka vendosur tërheqjen e menjëhershme të diplomatit Hamiti nga misioni në Kroaci, dhe kthimin e tij në Prishtinë. Ministri Hoxhaj po ashtu ka iniciuar krijimin e një komisioni në kuadër të MPJ-së, i cili do të shqyrtojë në tërësi rastin. MPJ i ka shprehur keqardhje autoriteteve të Republikës së Kroacisë, pas ankesës për sjelljen jo dinjitoze të diplomatit të saj në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Zagreb", thuhet ne komunikatën e MPJ-së.
Diplomati Urtak Hamiti shkakton skandal në Kroaci
Kosova prodhoi një skandal të ri diplomatik. Një zyrtar i lartë i ambasadës së Kosovës në Zagreb është arrestuar, e më pas është liruar, në gjendje të dehur.
Mësohet se bëhet fjalë për zv/ambasadorin Urtak Hamiti, i cili e ka dëmtuar gjithashtu makinën zyrtare të shërbimit diplomatik. Ministria e Jashtme është duke e shqyrtuar incidentin dhe do të veprojë në bazë të rregulloreve.
I dehur, për tokë, i rrethuar me policë dhe një veturë diplomatike të dëmtuar afër.
Skandalin e ri diplomatik të Kosovës e ka pasqyruar gjerësisht televizioni kroat "Nova", në versionin elektronik të saj, Dnevnik.
Sipas përshkrimit të saj, zyrtari kosovar ka çmendur njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare.
Dëshmitarët thanë se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar.
Dëshmitarët i thanë policisë se zyrtari kosovar ishte aq i dehur saqë nuk mund të qëndronte në këmbë.
Në ambasadën e Kosovës në Zagreb e kanë konfirmuar për Dnevnik arrestimin e zyrtarit të saj, por pohojnë se nuk ka pasur aksident trafiku. Madje, ambasada e Kosovës e mohon edhe gjendjen e dehur të zyrtarit.
Sipas ambasadës, e gjithë ngjarja ishte keqkuptim dhe zyrtari ishte liruar pas 10 minutash. Sipas burimeve të Dnevnikut, zyrtari kosovar u lirua pasi që thirrej në imunitet.
Zv/ministri i Jashtëm, Petrit Selimi ka thënë se shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj është duke e shqyrtuar incidentin dhe të gjitha rrethanat dhe se do të veprojë konform rregulloreve.
“Ne presim sjellje shembullore nga diplomatët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Selimi.
Urtak Hamiti është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, nga LDK-ja.
Ai ishte emëruar në shërbimin diplomatik qysh në fillim të krijimit të MPJ-së, që udhëhiqej nga Skënder Hyseni.
Marrë nga "Express"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)