Tirana zyrtare ka shprehur shqetësimin e saj për aktet e dhunës që u shfaqen sot në Prishtinë gjatë një proteste të organizuar nga ana e opozitës që kërkojnë largimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç.
 
Me anë të një deklarate për shtyp, bëhet e ditur se “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ndjek me vëmendje zhvillimet aktuale në Kosovë dhe shpreh shqetësimin e saj për rastet e dhunës në rrugët e Prishtinës.

MPJ u bën thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të tregojnë vetë-përmbajtje dhe të distancohen nga aktet e dhunës, të cilat nuk i shërbejnë stabilitetit të vendit. Qetësia dhe rivendosja e rendit janë të një rëndësie parësore për t’i hapur rrugë zgjidhjes së problemeve dhe i shërben stabilitetit demokratik të Kosovës.
 
MPJ fton forcat politike në Kosovë që të shfrytëzojnë institucionet dhe  dialogun me qeverinë e sapo krijuar, si mundësi të vetme për qetësimin e situatës, dhe të përdorin të gjitha energjitë në adresimin e sfidave euro-atlantike të vendit.”
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)