“Jemi në situatë të jashtëzakonshme nga reshjet e dendura dhe papushim të dy ditëve të fundit. Kjo situatë po përballohet me angazhimin maksimal të të gjitha strukturave të IMK, Drejtoritë Rajonale Kombëtare, në bashkëpunim me bashkitë, emergjencat civile dhe Forcat e Armatosura”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Deri tani, vë në dukje njoftimi, nga raportimet periodike nuk kanë rezultuar emergjenca, por janë verifikuar situata të cilat janë vënë nën kontroll. Aktualisht është duke u monitoruar me kujdes Ura e Golikut, e cila është nga më të rrezikuarat.
“Një grup pune po inspekton dhe monitoron objektin. Gjithashtu, problematike duket situata në Kishën e Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës, monument kulture, e cila është në zonë të përmbytur”, vijon dokumenti zyrtar.
Ndërkohë është vepruar në kohë për të shmangur dëmtimin e Forumit Bizantin në Durrës, që për shkak të reshjeve ka patur rrëshqitje të dherave. Ndërsa në objektet e tjera kulturore në Butrint, Apoloni dhe Bylis nuk janë verifikuar probleme.
G.F. / Shqiptarja.com












