TIRANE-Ministria e Kulturës së Shqipërisë tashmë do të jetë në zonën e ish- Kinostudios 'Shqipëria e Re'.
Ambientet e reja të këtij institucioni të rëndësishëm, kanë përfunduar procesin e rikonstruktimit dhe stafi i ministrisë e ka nisur punën për vitin 2015, në zyrat e reja. Ka qënë vetë ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo që ka njoftuar largimin nga godina e vjetër që ndodhet pranë Lidhjes së Shkrimtarëve në Rrugën e Kavajës dhe transferimin në e ambjentet e reja të Ministrisë, në zonën e ish- Kinostudios, në rrugën "Aleksandër Moisiu".
Në godinën e re, mësohet se hapësirat janë shumë më të mëdha dhe komode për punën e stafit të ministrisë. Nën moton "Vit i ri, godinë e re" është ndryshuar edhe logoja e mëparshme. Në logon e re duket e vizatuar godina e tanishme e Ministrisë së Kulturës. Punimet e godinës së re janë realizuar nga arkitekti Artan Shkreli. Godina e restauruar ka qënë dikur magazinë e kostumografisë së ish- Kinostudios.
Investimi kryesor i godinës së re konsiston në pjesën e fasadës dhe ndriçimit. Sipas arkitektit Shkreli, punimet kanë qënë më të përqëndruara në pjesën e fasadës. Ai e ka quajtur këtë ndryshim të godinës si një ringritje prej rënies dhe lënies pasdore përgjatë viteve të kësaj godine. Ndërtesa qëndrore e ish- Kinostudios u projektua nga një arkitekt rus dhe u ndërtua me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, në shenjë miqësie ndërmjet dy vendeve. Punimet e saj nisën në vitin 1948 dhe përfunduan në 10 korrik të vitit 1952 prej Enver Hoxhës, Hysni Kapos dhe ministrit rus, Leviçkini. Kjo ndërtesë e stilit neoklasik është konsideruar si unikale nga arkitektët./ATSH/