Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me GIZ, organizuan një seminar  me temë "Ruajtja e  Agrobiodiversitetit në zonat rurale të Shqipërisë".

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Mjedisore pranë kësaj Ministrie, Pëllumb Abeshi, parashtroj ide mbi administrimin e zonave të mbrojtura si dhe mbi politikën e zhvillimit të tyre.

Ndërsa Hartmut Mueller, përfaqësues i GIZ, u ndal mbi rëndësinë e mbrojtjes së këtyre zonave si dhe atë që pret BE-ja në kuadër të ruajtjes së natyrës. Përfaqësues dhe specialistë të zonave të mbrojtura diskutuan dhe dhanë mendimet e tyre se si ato mund të ruhen e të zhvillohen më tej.

Por kush quhen zona të mbrojtura  dhe si është fituar statusi i tyre: Fillimet e zonave të mbrojtura kanë nisur që në vitin 1940 me shpalljen ose krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë Kune-Vain-Tale në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit në Berat.

Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë. Këto zona mbrohen nga shteti dhe numërohen rreth 384 të tilla. Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë: 4 zona rreptësisht të mbrojtura ku përfshihen Laguna e Karavastasë (Lushnjë), Lumi i Gashit (Tropojë), Rrajca (Librazhd) dhe Kardhiq (Gjirokastër), 11 parqe kombëtare; 300 monumente natyrore; 26 zona të menaxhuara, 4 peizazhe të mbrojtura tokësore ose detare, si dhe 4 zona të mbrojtura resursesh. Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe të përgjithshme  16,5 % të fondit pyjor dhe 3,8 % të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Reforma  e administrimit të zonave të mbrojtura, u konsiderua si domosdoshmëri e rimëkëmbjes së parqeve natyrore dhe pyjeve në përgjithësi në vendin tonë.

ATSH