TIRANË, 9 Dhjetor / ATSH / - U zhvillua sot takimi i parë për të prezantuar projektin "Për minimizimin e mbetjeve dhe promovimin e konceptit 3R në Republikën e Shqipërisë", organizuar nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me projektin e qeverisë japoneze, JICA. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e pushtetit qendror e vendor që janë të përfshirë në këtë projekt.
Në fjalën e tij, Pëllumb Abeshi, Drejtor i Përgjithshëm, theksoi se "ky projekt është në një linjë me Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve". Ai kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tej për përfundimin me sukses të tij. Përfaqësuesi i JICA, lidhur me hapat e kryer deri më sot për këtë projekt dhe çfarë synohet të arrihet deri në përfundim të tij, tha se ky projekt do mund të sigurojë sjelljen e ekspertizës nga pala japoneze në fushat e menaxhimit të mbetjeve, politikat dhe zbatimin në praktikë të konceptit "3R", ndërgjegjësimin e publikut dhe edukimin mjedisor, hartimin e masave administrative dhe politike si dhe metodat e përfshirjes së të gjithë palëve të interesuara në praktikat 3R.
Gjithashtu, ky projekt do të mundësojë trajnime të stafit që merren me menaxhimin e integruar të mbetjeve. Projekti synon që të hartojë Udhëzuesin Kombëtar për 3R (Reduktim, Ripërdorim, Riciklim), i cili më pas do të vihet në zbatim nga të gjithë njësitë e pushtetit vendor. /a.ke/










