Ministria e Inovacionit debaton
me RTSH për mirëmbajtjen e rrjetit

Ministria e Inovacionit debaton<br />me RTSH për mirëmbajtjen e rrjetit
TIRANE- Tenderi për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit dixhital, i cili ende nuk është ndërtuar, ka përplasur dje Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike me transmetuesin publik, TVSH. Përfaqësuesja e Ministrisë, Loreta Andoni u shpreh dje gjatë Forumit për Dixhitalizimin e TVSH, organizuar nga Prezenca e OSBE në Tiranë, se kontrata për mirëmbajtjen e rrjetit nuk është pjesë e tenderit për ndërtimin e rrjetit për transmetimin numerik të miratuar në vitin 2013-ë me vendim të Këshillit të Ministrave, ndryshe nga sa pretendoi përfaqësuesi i TVSH, Ermir Agaçi, sipas të cilit ky tender është aneks i marrëveshjes.

“Duhet të bëjmë një sqarim për çështjen mediatike të ditëve të sotme, për marrëveshjen (SLA). Si dokument është jashtë kontratës së transmetimeve numerike dhe jashtë kostos totale. Absolutisht që nuk është aneks, por një dokument më vete, që siç e thash s’ka të bëjë me transmetimet numerike. Duhet të jemi të qartë për këtë”, u shpreh Andoni, koordinatore e Departamentit të Axhendës Europiane në Ministrinë për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i TVSH, Ermir Agaçi theksoi të kundërtën, se sipas tij vështirësitë që po has ky proces janë kontraktuale. Marrëveshja për mirëmbajtjen e rrjetit (SLA), tha ai, duhet të ishte miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave që me nënshkrimin e kontratës së transmetimeve numerike.

“Kjo kontratë që është bërë, ka disa boshllëqe. Marrëveshja “SLA” për mirëmbajtjen e rrjetit, që ju e dëgjoni nëpër media, duhet të ishte e mbyllur me vendim të Këshillit të Ministrave, me kontratën qëkur u bë 2 vjet më parë. Kjo marrëveshje është pjesë e tenderit të bërë në 2013 i cili është i legjitimuar nga gjykata”, u shpreh Agaçi.

Në kushtet e mungesës së rrjetit, puna për ndërtimin e të cilit jo vetëm që s’dihet se kur do të nisë, por njëkohësisht sipas përfaqësuesit të TVSH kushtëzohet edhe nga kushtet atmosferike, nga ana tjetër po tenderohet mirëmbajtja e tij me një shumë prej 8.8 milionë euro, çka përbën një absurditet të mirëfilltë, pasi kjo nxjerr jashtë loje Drejtorinë e Stacioneve në TVSH me 250 punonjës.

Përfaqësuesi i TVSH argumenton se kontrata duhet nënshkruar më shpejt, në mënyrë që kompania fituese, të përgatisë kushtet teknike dhe financiare, në mënyrë që më pas të nisë puna për ndërtimin e rrjetit. “Punët bëhen paralel dhe kjo kontratë duhet të bëhet tani në mënyrë që ai i cili do ta nënshkruajë, të përgatitet teknikisht dhe financiarisht për të”, tha ai.

Kontrata e TVSH për mirëmbajtjen e rrjetit që nuk ekziston llogaritet në 8.8 milionë euro, shumë e cila s’dihet për çfarë do të shpenzohet kur rrjeti i transmetimit s’është ndërtuar.
 
Debatet per dixhitalizimin
Eskperti i dixhitalizimit të RTSH, Agron Arianitasi, gjatë Forumit tha se pavarësisht denoncimeve të “Shqiptarja.com”, tenderi nuk është aspak korruptiv. Ndërkohë që tenderi për dixhitalizimin e transmetimeve të TVSH, i fituar përfundimisht prej Rohde & Schëarz, zvarritet prej më shumë se dy vjetësh i shoqëruar me akuza për korrupsion. Tenderi i organizuar nga ish-ministri Genc Pollo i PD-së u kundërshtua nga opozita e atëhershme (sot në pushtet) si një aferë korruptive. Vetë Pollo e konsideroi aq pak transparent, saqë, ndoshta për të shmangur pasoja gjyqësore, vendosi ta anulojë.

Shoqëria gjermane Rohde & Schëartz, e cila u ndje e dëmtuar nga ky vendim, paraqiti rekurs në Gjykatë dhe ministrja Milena Harito (tashmë në krye të Ministrisë) u paraqit si palë në proces kundër Rohde & Schëartz. Praktikisht, me pozicionimin e saj, ministrja deri në atë çast i jepte të drejtë Genc Pollos. Në shkallë të parë, Ministria e humbi gjyqin sepse Gjykata vendosi në favor të kompanisë gjermane, duke i njohur asaj të drejtën mbi tenderin. Ministria e Inovacionit e pranoi humbjen dhe nuk paraqiti apel “për të mos humbur më kohë”. Ndërkaq, zvarritja prej më shumë se dy vjet e kontratës ka sjellë kosto shtesë për shtetin shqiptar. Kontrata është firmosur sipas një tenderi të zhvilluar dy vjet më parë dhe çmimet reference për pajisjet dixhitale kanë qenë të vitit 2013, në një kohë që këto pajisje sot, për shkak të zhvillimit teknologjik, mund të gjenden me një vlerë të paktën 20-30 për qind më lirë.
 
 
Përfaqësuesja e Ministrisë së Inovacionit, Loreta Andoni: Marreveshja per mirembajtjen është jashtë kontratës së transmetimeve numerike dhe jashtë kostos totale.
 
Ermir Agaçi: Është jashtë kostos totale, por është një kontratë që me vendim të Këshillit të Ministrave duhej t’i bashkëngjitej si aneks kontratës së madhe.
 
Loreta Andoni: Absolutisht që s’është ashtu, është diçka tjetër. Nuk është aneks.
 
Ermir Agaçi: Duhej të kishte qenë aneks. Vendimi i Këshillit të Ministrave këtë thotë se duhet të ishte aneks i kontratës së madhe. Kjo marrëveshje është pjesë e tenderit të bërë në 2013 i cili është i legjitimuar nga gjykata.
 
Loreta Andoni: Por nuk është aneks. Ta thash që është diçka tjetër, është një kontratë tjetër. 
 
Ermir Agaçi: Ndryshe nga sa thonë në media që rrjeti s’ekziston, kontrata duhet të bëhet më shpejt. Punët bëhen paralel dhe kjo kontratë duhet të bëhet tani në mënyrë që ai i cili do të nënshkruajë këtë kontratë, të përgatitet teknikisht dhe financiarisht për të.  
 
Agron Aranitasi, TVSH: Unë kam qenë pjesë e Sekretariatit Teknik deri në ndërtimin e strategjisë dixhitale. Për tenderin media e shkruar shqiptare ka shkruar pa marrë asnjë burim. Ka një vit që shkruan “Shqiptarja.com”. Ka të drejtë të shkruaj, por të paktën merr dy burime, një nga TVSH dhe një tjetër që ta sulmojë atë, se cili është ky problem, cila është e vërteta. Absolutisht, nuk e bëjnë. Pas një viti që Shqiptarja.com botonte kundër projektit dhe sot e quan tender të korruptuar. Vetëm i korruptuar që nuk ishte ai tender. Këta duan ta pengojnë procesin. Por ky projekt do jetë i realizuar me teknologjinë më të mirë që është realizuar deri sot. 
 
Gentian Sala, AMA: Sa do paguajnë abonentët. Ju ende s’keni një tarifë se sa do paguajnë qytetarët që do përfitojnë nga kalimi i transmetimeve nga analoge në numerike.  

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë