Ministria e Shëndetësisë bën bilancin 2-vjeçar të pandemisë: Opozita e përdori për të sulmuar qeverinë

TIRANË- Pasi kanë kaluar gati më shumë se 2 vite teksa vendi ka qenë i mbërthyer nga pandemia e COVID-19 e ku tashmë rreziku pothuajse ka kaluar, ministria e Shëndetësisë ka bërë edhe një bilanc për punën e bërë. Ministrja Ogerta Manastirliu ka listuar një e nga një të gjitha punët, e ndërmarra në përballimin e kësaj lufte "me virusin e padukshëm".

"Krizën shëndetësore që kaploi mbarë botën i’u përgjigjëm me forcimin e kapaciteteve mjekësore. Gjatë dy viteve të fundit kemi forcuar Urgjencën Kombëtare me mbi 60 autoambulanca të reja. Janë investime të qeverisë shqiptare por edhe të ndihmës dhe solidaritetit të ofruar nga Bashkimi Europian. Urgjenca Kombëtare ka pritur në dy vite mbi 1.4 milionë thirrje urgjente dhe ka menaxhuar mbi 279 mijë misione në banesë.

Dyfishuam kapacitetet testuese. Krijuam mbi 200 pika testimi në komunitet. Dhe dua të them këtu që roli i Institutit të Shëndetit Publik ka qenë thelbësor dhe ku me mbështetjen e çmuar të OBSH si një partner strategjik në çdo hap ne ja dolëm që të kishim një survejancë epidemiologjike dhe gjithashtu dhe një sistem të testimit sipas strategjisë së zgjedhur nga Komiteti i Ekspertëve.

Dedikuam në fazën e parë mbi 550 shtretër në 4 spitalet covid. Pra rritëm kapacitetet spitalore. Në total së bashku me gjithë spitalet rajonale vëndosëm në dispozicion 1600 shtretër të dedikuar. Dhe pajisëm të gjithë këto spitale dhe struktura me infrastrukturën e nevojshme që nga gazrat mjekësore, tek dyfishimi i kapaciteteve në terapinë intensive me pajisjet mjekësore jetëshpëtuese si respiratorë, monitorë, pajisje imazherie, për t’iu përgjigjur çdo skenari të Planit tonë të Përgjigjies për periudhën e hershme shtator 2020 – mars 2021 e më tej edhe në Planin tonë 2-vjeçar të përgjigjies ndaj pandemisë dhe impaktit të saj.

Siguruam të gjitha mjetet mbrojtëse për stafet tona. Rreth 4 mijë mjekë, infermierë, laborantë, staf mbështetës në vijën e parë u mbështetën me bonusin mbi pagën.

Vaksinimi ishte një tjetër sfidë. E filluar në 11 janar të vitit që lamë pas falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të kryeministrit Rama, për të siguruar në një kohë të shpejtë vaksinën e për të mbrojtur jetën e mjekëve si fillim, mësuesve, forcave të rendit, të moshuarve në shtëpitë rezidenciale e më tej të gjithë popullatës ashtu sikurse Programi ynë Kombëtar i Vaksinimit parashikoi. Mbi 3 milionë vaksina të mbërritura dhe mbi 5 milionë vaksina të siguruara deri tani", tha Manastirliu.

Ajo nuk ka nguruar edhe të sulmojë opozitën, e cila as në këtë betejë nuk u bë bashkë me qeverinë. Manastirliu tha se në këto kohë të vështira, opozita i përdori për fat të keq viktimat si një metodë për të sulmuar qeverinë.

"Ama ndërkohë që për disa, viktimat e kësaj pandemie ishin thjesht statistika për të plotësuar retorikën politike të ditës; për ne dhe mbi të gjitha për ju profesionistë të shëndetësisë çdo pacient i sëmurë qoftë edhe në format më të rënda ishte një jetë që duhej shpëtuar me çdo kusht. Një jetë që kur humbej shkaktonte një hidhërim të madh.

E nëse nuk shpëtohej kjo nuk vinte as prej mungesës së mobilizimit total, as p rej mungesës së përkushtimit tuaj absolut apo profesionalizmit. Ndodhte sepse përballë kishit një armik të padukshëm i cili ishte rikthyer për pas mbi një shkeull, me një tjetër formë, emër por me të njejtën egërsi.

Edhe në mesin e zjarrit të akuzave shpeshherë të pabaza deri në kufinjtë e absurdit e kam thënë gjithmonë se bilancet bëhen në fund të luftës. Për fatin tonë të keq ne nuk u gjendëm thjesht përballë një pandemie. Ne u gjendëm përballë edhe një infodemie, një gjoja ekspertodemie, një shifrademie dhe grafikodemie. Siç ndodh gjithmonë brenda natës shtimi i rasteve u shoqërua me shumëfishimin e gjoja ekspertëve të zhurmshëm", u shpreh ministrja.

Ajo ka treguar edhe momentet e saja më të vështira.

" Më pyesnin shpesh në media dhe jo vetëm se cilat kanë qenë momentet më të vështira.  Në fakt një krizë e tillë e jashtëzakonshme është në vetvete një tërësi momentesh delikate të vështira por të jashtëzakonshme. Dhe të tilla i bën lufta për jetën. Unë kujtoj me dhimbje çdo lajm për fatalitetet. Gjithashtu dhe për largimin nga kjo jetë fatkeqësisht të mjekëve dhe infermierëve të cilët humbën betejën e tyre teksa luftonin për të mbrojtur jetën e pacientëve. Siç ndodh shpesh këtyre anëve ka pasur boll debate dhe luftëra fjalësh për mënyrën se si u përballua kjo krizë e shëndetit publik. I kam konsideruar gjithmonë të mirëpritura këshillat në çdo drejtim", tha Manastirliu.

Në fund, ministrja ka bërë me dije edhe vizionin për të ardhmen në sektorinë e shëndetësisë.

"Ne jemi të vendosur dhe të angazhuar të jetësojmë vizionin tonë. Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë që pritet të miratohet së shpejti ka të gjitha ndërhyrjet të cilat në një plan 10 vjeçar vlerësohet të kryhen në mënyrë që ne të kemi një sistem shëndetësor më të fortë, më të qëndrueshëm, nga pikëpamja e financimit publik dhe rritjes së financimit publik për shëndetësinë ashtu sikurse kemi bërë në këto vite dhe nuk ka qenë e lehtë. Por ajo që shohim është se nuk është e pamundur, kur ke vullnetin, forcen dhe angazhohesh të punosh me profesionistë sikurse jeni ju dhe patjetër kur ke partner të cilët të mbështesin, të cilët gjej rastin edhe njëherë t’i falenderoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.  Të falenderoj të gjithë partnerët tanë të institucioneve financiare, të cilët janë duke na mbështetur dhe do të vijojnë të na mbështesin edhe në programet e ardhshme përsa i përket ravijëzimit të Strategjisë së Shëndetësisë dhe kthimit të saj në një realitet të prekshëm", tha Manastirliu.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI