Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zhvilluar takim me drejtues të institucioneve arsimore nga e gjithë Shqipëria duke shpallur thirrjen për vendin vakant të Drejtorit të Përgjithshëm të Sistemit Parauniversitar pas dorëheqjes së Selman Hodajt.
“Kemi nevojë për frymë energji të reja, për kontribute të reja. Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar ka bërë punë kolosale, institucion i ri, ishte sfidë, ka përballuar me sukses tërmetin, pandeminë, e vështirësi të tjera.
Në vazhdim të punës që është bërë dhe për shkak të nevojës për energji të reja e ritme të reja më të shpejta, ne kemi shpallur thirrjen për drejtues të drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar. Do ju ftoja që të aplikoni. E rëndësishme është të kemi sa më shumë konkurrentë, ndaj ju ftoj të konkurroni që të kemi sa më shpejt një drejtor të ri”, u shpreh ministrja.
Sa i përket maturës shtetërore, ministrja Kushi paralajmëroi ndryshime duke thënë se nuk do të fillojnë në vitet e ardhshme.
“Grupi i punës ka parë dhe gjithë kuadrin ligjor të procesit që të bëjmë përmirësimet për vitet në vijim. Kemi material për disa ndryshime që do bëjmë jo për këtë mature por vitet e ardhshme. Sapo të kemi vendimmarrje do i bëjmë publike që nxënësit të informohen në kohën e duhur për maturën shtetërore për vitet e ardhshme apo vitet që do vijnë”, tha Kushi.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha strukturave dhe aktorëve në realizimin me sukses të Strategjisë së re dhe kapërcimin e sfidave në arsim, Ministrja Kushi tha se arsimi ka nevojë për një frymë të re në drejtimin e institucioneve arsimore, duke filluar që nga institucionet më të larta e në çdo nivel të hiearkisë së drejtimit të institucioneve arsimore.
“Kemi nevojë për frymë të re, energji të reja dhe kontribute të reja. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit parauniversitar ka bërë një punë kolosale dhe duhet ta pranojmë. Është një institucion që u ngrit i ri dhe i ka përballuar me sukses tërmetin dhe pandeminë, por edhe shumë vështirësi të tjera që kemi hasur gjatë kësaj periudhe. Në vazhdim të punës së mirë që është bërë, dhe për shkak të nevojës për energji të reja, për ritme të reja më të shpejta ne kemi shpallur sot thirrjen për drejtues të DPAP”- u shpreh ministrja Kushi.
Ndër të tjera, gjatë takimit u trajtuan tema si: sfidat dhe arritjet në drejtimin e Institucioneve Arsimore në vend; roli i prindërve dhe komunitetit në mbështetje të strukturave të shkollës; përfshirja e Qeverive të Nxënësve në vendimmarrje dhe jetën aktive të shkollës në bashkëpunim me mësuesit, prindërit, komunitetin, qeverisjen lokale dhe OJF-të etj.