Rritja e çmimeve/ Ministrja e Financave: Me vështirësi përcaktuam marzhet e fitimit, çmimet referencë për miellin, orizin, vajin dhe sheqerin publikohen sot

TIRANË- Bordi për monitorimin e çmimeve të ushqimeve të shportës, i krijuar pas rritjes së menjëhershme të çmimeve në vend, si pasojë e luftës në Ukrainë, do të publikojë sot vendimin e parë. E pyetur nga gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se në mbledhjen e datës 1 prill, bordi vendosi që të mbajë në monitorim katër produkte kryesore, miellin, orizin, vajin dhe sheqerin, për të cilat sot do të bëjë të ditur çmimet e referencës. Ministrja tha se është përcaktuar formula për të caktuar marzhin e fitimit, formulë për të cilën është hasur fillimisht vështirësi, për shkak se për të njëjtin mall ka disa marka.

‘Sipas aktit normativ, ne kemi ngritur bordin e monitorimit të transparencës së çmimeve. Ne jemi kujdesur të përcaktojmë formulën për përcaktimin e çmimeve që tregtarët duhet të aplikojë. Bordi i ushqimeve ka disa kategori ushqimesh, dhe për të njëjtin mall ka disa marka. Kemi hasur vështirësi në caktimin e marzhit të fitimit. Në mbledhjen e datës 1 prill bordi vendosi që të mbajë në monitorim katër produktet kryesore, miellin, orizin, vajin dhe sheqerin. Sot do të dalim me çmime referencë, për këto produkte. Ndërkohë jemi në diskutime për të aplikuar të njëjtën metodologji për imputet bujqësore. Kemi folur edhe për garancinë sovrane që do i garantojmë importuesve të imputeve. Do të jemi në diskutime të vazhdueshme me tregtarët, me qëllim që këtë situatë ta përballojmë bashkërisht. Inflacioni i ushqimeve do të jetë një dukuri më shumë se harku kohor i këtij viti’, përfundoi ministrja.’- tha ministrja e Financave.

Në fillim të fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj teksa ju referua shifrave, duke e krahasuar rritjen ekonomike  të vitit 2021 me 2020, tha se kemi një rritje me 8.4%. Ndërsa duke e krahasuar me vitin 2019, i cili ishte një vit normal, ( jo në pandemi), tha se rritja është 4.7%. Nga ana tjetër ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj u shpreh se në dy muajt e parë të 2022 ka pasur rritje të të ardhurave me 18.1 miliardë lekë.

‘Në 2021 rritja ekonomike rezultoi 8.45 %. Rritja ka ardhur si nga treguesit final të popullatës, që ka pasur kontribut me 4.4% në këtë rritje. Si investimet dhe konsumi, kanë rezultuar me rritje gjatë 2021. Rishikimi i projeksioneve për rritjen nominale, treguesi i borxhit shënoi 73.2%. Treguesi i deficitit tregoi .45 nga 4.8 që ishte në fillim. Rritja ekonomike ka qenë e ndjeshme. Mali i Zi dhe Kosova, janë dy vende që gjatë 2020 kanë pasur bazë të ulët. Rritja për 2021 ishte 4.76% në krahasim me 2019-ën. Ka pasur një përshpejtim të rritjes.’- tha Ibrahimaj.

Sa i takon shifrave të punësimit, sipas ministres papunësia ka pësuar rënie dhe shkalla e punësimit ka filluar që të pësojë rritje. Duke u ndalur tek procesi i fiskalizimit, procesi do të përfundojë në përfundim të 6 mujorit të parë të këtij muaji, sipas pritshmërive të ministrisë së Financave.

‘Shifrat e punësimit kanë ndryshuar, pasi papunësia ka pësuar rënie. Shkalla e punësimit ka filluar të shënojë rritje. Paga mesatare ka ndjekur të njëjtin trend, e cila ka pësuar rritje nga viti në vit. Sa i përket treguesve të dy muajve të parë të vitit, kemi pasur rritje të ardhurash, në krahasim me vitin e kaluar, 18 mld lekë më shumë. Rritje kanë pësuar të ardhurat tatimore dhe ato doganore. Sipas pritshmërive tona, në përfundim të 6 mujorit të parë të këtij viti, do përfundojë fiskalizimi i subjekteve.”, tha Ibrahimaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:31
Ministrja e Financave: Inflacioni këtë vit pritet 4.5 %, kemi shkurtuar shpenzimet publike

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se inflacioni ka shkurtuar shpenzimet publike, ku këtë vit pritet që inflacioni të shkojë në 4.5 %

"Inflacioni këtë vit pritet të shkojë në 4.5 %. në vijim të parashikimeve kemi shkurtuar  shpenzimet publike dhe operacionale për të financuar paketën e Rezistencës Sociale", tha ajo.  

Ora 12:18
Ministrja e Financave: Janar-Shkurt 2022 të ardhurat u rritën me 18.1 mld lekë krahasuar me 2021! Në 6 muajt e parë të këtij viti mbyllet procesi i fiskalizimit

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se në dy muajt e parë të 2022 ka patur rritje të të ardhurave me 18.1 miliardë lekë, ndërsa në 6 muajt e parë të 2022 do të përmbyllet i gjithë procesi i fiskalizimit.

 "Në dy muajt e parë janar-shkurt, kemi pasur rritje të të ardhurave me 26 % krahasuar me 2021, ose e 18.1 mld lekë më shumë. Edhe reforma e fiskalizimit ka vijuar ecurinë pozitive ku biznesi i madh është pajisur me certifikatë fiskalizimi, ndërsa 81 % e biznesit të vogël ka bërë fiskalizimin. Në fund të 6 muajve të parë të 2022 do të përfundojmë fiskalizimin për të gjithë subjektet", tha Ibrahimaj.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit