Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në interpelancën e kërkuar në Parlament mbi pretendimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonë të mbrojtur, sqaroi se aeroporti po ndërtohet në njollën ekzistuese.
“Projekti i aeroportit është propozuar të kryhet as më shumë dhe as më pak por në gjurmën ekzistuese të ish-aeroportit ushtarak, që ka qenë funksional deri në fillim të viteve 1970. Theksojmë gjithashtu se ai ndodhet në nënzonën C - që nuk është as Zona Qendrore A dhe as në Zonën e Zhvillimit të Qendrueshëm B, nuk prek Monumentet e Natyrës të identifikuara si për shembull Dunat e Nartës, Laguna Limopuo, Kodrat Molasike të Zvërnecit, Pylli i Zvërnecit. Po kështu nuk preket fare Laguna e Nartës”, tha Kumbaro.
Ministrja tha se aeroporti është një investim që i shërben turizmit, ndërsa vizionin e qeverisë për zonat e mbrojtura e solli përmes punës së nisur për shpalljen e gjithë lumit të Vjosës Park Kombëtar dhe vendimit të janarit të këtij viti për të rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura nga 17% në 21%.
“Si Ministër i Turizmit nuk mund të mos theksoj se ky është një projekt strategjik, që siç thonë banorët e Vlorës që kujtojnë edhe disa përpjekje të mëparshme në fillim të viteve 2000 për ta ringjallur atë aeroport të dikurshëm, por pa sukses, « ëndrra po bëhet realitet ». Një pol i ri i turizmit që favorizon Shqipërinë do të jetë ky aeroport. Ndërsa të akuzosh këtë qeveri se po shkatërron natyrën, ndërkohë që ka ndërmarrë projektin më ambicioz për zonat e mbrojtura mjedisore sic është studimi dhe planifikimi i parkut kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë - VJOSA, është të kërcesh si prifti nga belaja. Këtë hall jua kuptoj por nuk ua zgjidh dot”, u shpreh në fund të fjalës Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi edhe ligjin për zonat e mbrojtura duke thënë se mbahen parasysh parimet kryesore të menaxhimit të tyre, siç janë Parimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe Parimi i integrimit.
“Këto parime mbahen parasysh sa herë zhvillimi strategjik i vendit nxjerr në pah nevojën për projekte që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në avancimin e prioriteteve afatgjata të progresit, të zhvillimit të stabilitetit ekonomik dhe të prosperitetit të komunitetit”, tha Kumbaro.
Ndër të tjera sqaroi se sipas lejes mjedisore, zhvilluesi i aeroportit duhet të përmbushë edhe një sërë kriteresh.
“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura mbetet e angazhuar dhe e detyruar për të mbrojtur peizazhin dhe speciet e pranishme brenda Peizazhit të Mbrojtur. Zhvilluesi ka aplikuar për procedurën e thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Deklarata Mjedisore e propozuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe e miratuar nga Ministri përmban një sërë kushtesh që duhen plotësuar nga zhvilluesi i projektit si gjatë fazës së përgatitjes së territorit, gjatë ndërtimit, dhe gjatë funksionimit që do të monitorohen nga MTM. Është detyrë e zhvilluesit që i është përcaktuar në Deklaraten Mjedisore gjithashtu që konsulenca mjedisore për biodiversitetin do të jetë e pandarë për monitorimin dhe raportimin mbi komponentët mjedisorë. Siç paraqitet nga Raporti i thelluar i VNM-së dhe Deklarata Mjedisore, masat që do të ndërmerren do të minimizojnë ndjeshëm ndikimin që mund të ketë projekti në zonë dhe Ministria dhe institucionet e varësisë do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar integritetin ekologjik në zonë”, vijoi më tej Kumbaro.
Lajmi kryesor: