TIRANË,17 Nëntor / ATSH / - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni mori pjesë sot në aktivitetin "Metabolizmi i Shqipërisë", një nocion urban që do të shërbejë si një mënyrë për të hulumtuar dinamikat territoriale, duke kryer transformimet e nevojshme që do t'i japin hov jetës së realiteteve urbane e rurale.
Në fjalën e saj, ministrja Gjermeni iu referua profesor Artan Fugës, i cili sjell në librin e tij "Komunikimi në shoqërinë masive" tezën e sociologut urbanist Luis Mamford lidhur me evoluimin e qyteteve përgjatë historisë.
Sipas kësaj teze "gjithçka që zë një hapësirë materiale në qytet, lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me natyrën e pushtetit që kontrollon qytetin, me kulturën e elitave drejtuese të tij dhe mënyrën e funksionimit ekonomik të zonave urbane"./m.m/