TIRANË, 9 Dhjetor / ATSH / - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmi, Eglantina Gjermeni, në takimin me ministrin italian të Kulturës dhe Turizmit, Dario Franceschini, diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit me Italinë në fushën e turizmit. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në këtë sektor ekonomik të rëndësishëm për vendin do të fokusohet në zhvillimin e produktit të turizmit, shkëmbimit të eksperiencave më të mira dhe modeleve të suksesshme të turizmit, rritjen e investimeve italiane në këtë sektor dhe mbi të gjitha, përvojës italiane në standardizimin e shërbimeve turistike.
Gjermeni theksoi se reforma ligjore e ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare ka krijuar mundësi të reja për rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe ka lehtësuar procedurat për investime të mëdha në sektorin e turizmit, i konsideruar për Qeverinë një sektor strategjik për rritjen e punësimit dhe të ardhurave në ekonominë e vendit.
Ministri italian Dario Franceschini theksoi se "nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të shërbejë si një plan pune me hapa konkretë në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve tona si dhe do të krijojë mundësi të reja për promovimin e paketave turistike të përbashkëta, veçanërisht për rritjen e numrit të turistëve nga Kina dhe vendet e tjera aziatike".
Gjermeni e falënderoi Franceschinin për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe e ftoi në Shqipëri për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve.
Vizita e ministres Gjermeni në Romë vijoi me pjesëmarrjen në konferencën 'Roma Capitale Internazionale:" fundraising, semplificazione, promozione" e ftuar nga Presidentja e Komisionit XII të Bashkisë së Romës për Modën, Turizmin dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, On Valentina Grippo. Në fjalën përshëndetëse Gjermeni theksoi se 'Kultura është një nga produktet që promovon më së miri potencialet e një vendi. Ne e konsiderojmë bashkëpunimin me Italinë në kuadër të zhvillimit të produktit kulturor jo vetëm të rëndësishëm, por dhe një element të rëndësishëm në njohjen e Shqipërisë si një destinacion turistik i preferuar në tregun ndërkombëtar. Si një nga 8 shtetet e nismës Adriatiko - Joniane jam e bindur se Shqipëria jo vetëm do të mund të implementojë modelet më të mira për zhvillimin e turizmit, por dhe të krijimit të praktikave dhe politikave bashkëkohore për një turizëm të përgjegjshëm, të qëndrueshëm dhe interaktiv", theksoi Gjermeni.
Në takimin me Eurodeputeten Silvia Costa, Gjermeni shprehu angazhimin e Shqipërisë për t'u bërë pjesë e familjes evropiane, duke ritheksuar rëndësinë e nismës Adriatiko- Joniane dhe projekteve IPA, për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të turizmit dhe ridimensionimit të potencialeve të kësaj industrie në rritjen ekonomike dhe të punësimit në Shqipëri.
Gjatë kësaj vizite, Gjermeni dha dhe një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Nova, ku përveç sektorit të turizmit dhe zhvillimeve të fundit të kësaj industrie në Shqipëri gjatë vitit të fundit, foli dhe për zhvillimin urban dhe përqasjen e integruar të dy fushave, për të garantuar modele zhvillimi të qëndrueshme. Gjatë gjithë këtij viti - u shpreh Gjermeni - kemi punuar fort për promovimin dhe njohjen e vlerave kulturore dhe potencialeve turistike që ka Shqipëria, duke marrë pjesë në më shumë panaire ndërkombetare, organizimin e media tour dhe tureve familjarizuese me gazetarë të huaj dhe operatorë turistikë. Në kuadrin e aktiviteteve promocionale për vitin 2014 ne hapëm ekspozitën "Shqipëria nga Qielli dhe nga Thellësitë e Kaltra" në Palazzo Vittoriano, si pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia Romë -"Roma verso Expo". /a.ke/










