Në vizitën e saj të parë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologun Giorgos Gerapetritis, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali shkoi me kërkesa të qarta për palën greke. Kryediplomatja shqiptare kërkoi heqjen e ligjit të luftës që qëndron ende në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët evropiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq", tha Spiropali. 

Për çështjen e detit, delimitimin e zonës ekonomike detare, Spiropali tha se Tirana zyrtare mbetet e hapur për dialog në çdo kohë, por pa detaje të reja se në ç’fazë janë diskutimet mes palëve.

"Palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon", u shpreh Spiropali. 

Në vëmendje solli edhe një nga çështjet më të rëndësishme që shqetëson komunitetin shqiptar në Greqi, atë të pensioneve.

"Ne do ta çmonim shumë vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale. Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Europian, përfshi Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera", vijoi ministrja. 

Ndërsa ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gerapetritis i cili garanatoi mbështetjen e Athinës për integrimin, vijën e kuqe të marrëdhënieve dy palëshe e bëri të qartë: çështja e minoritetit grek.

"Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë, ura e komunikimit dhe bashkëpunimi. Rrendesi të vecante japin edhe  kontributi emigrantët shqiptar.  Vlerësojmë kujdesin e veçantë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek që përbën prioritetin kryesor për ne", tha Ministri. 

Çështja e minoritetit grek ka ngritur shpeshherë krye si një mekanizëm bllokues i përdorur nga Athina zyrtare në momente të ndryshme të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:08
Njohja e viteve të punës në Greqi, Spiropali: Dëshirojmë të vijojmë me negociatat! Një marrëveshje që garanton trajtim të barabartë të qytetarëve

Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali në konferencën e përbashkët me homologun e saj grek në Athinë, theksoi rëndësinë e vijimit të negociatave teknike përsa i përket njohjes së viteve të punës të shqiptarëve që prej vitesh kanë punuar në shtetin grek.

Spiropali gjithashtu përmendi se një marrëveshje të tillë, Shqipëria e ka firmosur me shumë vende të BE-së përfshirë dhe Italinë së fundmi.

“Ne do ta çmonim shumë vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe në garantimin e trajtimit të barabartë për punëtorët dhe personat e vetëpunësuar, si për shqiptarët në Greqi apo qyetetarët grekë qëpunojnë në Shqipëri.

Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Europian, përfshi Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera”, tha Spiropali.

Ora 14:03
Spiropali në Athinë: Jemi anëtarë të NATO-s, Greqia të heqë ligjin e luftës

Çështja e ligjit të luftës së Greqisë u ngrit në Athinën zyrtare edhe nga ministrja e Jashtme Elisa Spiropali. Në një konferencë me homologun grek George Gerapetritis, ministrja Spiropali tha se dy vendet janë anëtarë të NATO-së dhe se pret që Greqia të heqë ligjin e luftës, një kërkesë e artikuluar edhe nga kryeministri Rama.

“Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve.

Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq.

Dua ta falenderoj posaçërisht Ministrin për lidershipin dhe vizionin për të ndërtuar një marrëdhënie me sytë nga e ardhmja. Ky hap do të forconte më tej bashkëpunimin dhe vizionin tonë të përbashkët europian”, tha Spiropali.

Ora 14:01
Spiropali në Athinë: Mora konfirmimin e mbështetjes për Shqipërinë drejt BE-së, duam të thellojmë dialogun dhe bashkëpunimin

Ministria e Jashtme Elisa Spiropali në takimin me homologun grek, theksoi se bashkëpunimi dypalësh mes vendeve, mbështetet në dy vizionet e përbashkëta, në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Nga takimi me presidentin dhe ministrin e Jashtëm, Spiropali tha se mori një konfirmim për vijim e mbështetjes së rëndësishme të Greqisë për Shqipërisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

“Bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve tona mike mbështetet sot edhe në dy shtylla të fuqishme që janë: e sotmja e përbashkët në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Për të gjithë gjerësinë e thellësinë e vet, qeveria e Edi Ramës e ka konsideruar dhe përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve tona, qysh në programin e parë të qeverisë e në vijim.

Objektivi ynë kombëtar dhe shoqëror, kushtetues dhe shpirtëror, integrimi europian, nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027 – një sfidë e madhe, por e realizueshme. Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe vendimtare të Greqisë në këtë proces, mbështetje që ka qenë dhe mbetet vendimtare.

Me presidentin dhe ministrin, mikun tim, mora rikonfirmimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit të Shqipërisë që përkon edhe me Presidencën e ardhshme e Greqisë në BE në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Ndaj ndërkohë, ne duam të thellojmë dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike në përgatitje për një Presidencë sa më produktive, në raport me rajonin tonë, ku Greqia në krye të BE-së, do të jetë si të thuash “the adult in the room” për Ballkanin Perëndimor.

Ne presim që Greqia të përdorë peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithësecilit”, tha Spiropali.

Ora 13:52
Ministri grek: Shqipëria, progres për në BE! Vlerësojmë respektimin e të drejtave të minoritetit grek, një përparësi për ne

Gjatë konferencës për shtyp me Elisa Spiropalin, ministri i jashtëm grek, George Gerapetritis tha se Greqia ka qenë pararojë e idesë së Ballkanit Perëndimor në BE.

Ndër të tjera ai theksoi edhe progresin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Greqia dhe Shqipëria kanë lidhje shekullore dhe ne duhet të fokusohemi në ato pika që i bashkojnë dy popujve tanë. Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve. Kontributi i emigrantëve shqiptarë, kanë treguar shkallë të lakmueshme integrimi në shoqërinë helene.

Diskutuam zgjerimin, është nevoja gjeopolitike e BE. Greqia ka qenë pararojë e idesë së Ballkanit Perëndimor në BE. Ne mbetemi forcë nxitëse në këtë drejtim. Në kuadër të presidencës së BE, të ndihmojmë duke ndërmarrë nisma.

Greqia qëndron konseguente në pozicionimin e saj drejt futjes së Ballkanit Perëndimor në BE, në bazë të performancave dhe reformave të kryera. Ne përshëndesim progresin e Shqipërisë, që çoi në hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Pra, vlerësojmë kujdesin e veçantë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, që përbëjnë përparësi për ne. Ekzistojnë mundësi të zgjerimit të bashkëpunimit cilësor dhe sasior”, theksoi ai.