TIRANË- Katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së dhe riktheu në detyrë zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, SPAK vihet në lëvizje dhe i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Për të vendosur Ballukun në masë arresti me burg ose arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të deputetit, kërkesë që tashmë është depozituar në Parlament.

SPAK informon Kuvendin se Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi, për të cilat akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, pasi dyshohet se ministrja në bashkëpunim me vartësit kanë paracaktuar fituesit. Numri 2 i qeverisë është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, ndërkohë në hetim është vënë për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi kërkesën e SPAK si një fakt të turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demorkatike. Kreu i qeverisë kritikon arrestet në burg ose në shtëpi, pa gjyq, por më fund të reagimit të tij thotë se grupi parlamentar i PS do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do të mbajë një qëndrim të drejtë.

“Ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, shkroi Rama.

Kërkesa e SPAK, sipas rregullores së Kuvendit duhet t’i vendoset menjëherë në dispozicion 10 anëtarëve të Këshillit të Mandateve. Ky Këshill nuk voton, por brenda 2 javëve përgatit një raport, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare. Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë në 18 dhjetor ankimin e Ballukut për masat e sigurisë, ai edhe ankimet e Gentian Gjylit dhe Erald Elezi që kërkojnë heqjen e arrestit shtëpiak. Ndërsa, kërkesa e kryeministrit Rama për të sqaruar konfliktin e kompetencave mes GJKKO-së dhe Kryeministrisë mbi çështjen e pezullimit të ministrave do të shqyrtohet më 22 janar në një seancë publike. 

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

  1. “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
  2. “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
  3. “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
  4. “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
  5. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
  6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
  7. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:27
SPAK kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut, Bardhi: Republika e Korrupsionit po mbytet

1764857864_gazmentbardhi.jpeg

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Ballukut dhe arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrakstrukturës dhe Energjisë.

Bardhi thotë se përshëndet "vendosmërinë dhe integritetin profesional të prokurorit të SPAK-ut, Dritan Prençi, i cili nuk iu nënshtrua presionit të Edi Ramës dhe disa grupeve të rrezikshme kriminale për Belinda Ballukun".

Reagimin e kryeministrit Edi Rama për këtë zhvillim, Bardhi e quan "përpjekje dëshpëruese për vetëmbrojtje. Rama përpiqet të shpëtojë lëkurën e tij nga provat me të cilat Belinda Balluku e mban peng."

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Rama dhe Balluku në të njëjtën varkë: Republika e Korrupsionit po mbytet!

Përshëndes vendosmërinë dhe integritetin profesional të prokurorit të SPAK-ut, Dritan Prençi, i cili nuk iu nënshtrua presionit të Edi Ramës dhe disa grupeve të rrezikshme kriminale për Belinda Ballukun.

Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe caktimin e masës së arrestit ndaj Belinda Ballukut është akti që e prisnin të gjithë, përfshirë Edi Ramën, pas vendimit të përkohshëm dhe të diktuar nën presion të Gjykatës Kushtetuese. Sot, u bë e qartë se, me prokurorë me integritet, asnjë manovër nuk e ndal dot përballjen me përgjegjësinë penale dhe se Republika e Korrupsionit nuk mbahet më mbi ujë.

Përpjekjet teatrale të Edi Ramës në mbrojtje të Belinda Ballukut nuk janë as politike dhe as institucionale. Ato janë përpjekje dëshpëruese për vetëmbrojtje. Rama përpiqet të shpëtojë lëkurën e tij nga provat me të cilat Belinda Balluku e mban peng. 

Ata të dy janë në të njëjtën varkë. Një varkë që fut ujë nga çdo anë. Ujë të pistë korrupsioni, që nuk mbahet më as me propagandë, as me kërcënime, as me manovra procedurale.

Kryetari i Kuvendit të thërrasë menjëherë Këshillin e Imunitetit, të njoftojë anëtarëve materialet menjëherë siç ligji e detyron, si dhe seanca plenare të garantojë parimin e barazisë para ligjit. Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë ndaj drejtësisë nuk mund të tolerohet.

Drejtësia ka folur. Tani Edi Rama nuk ka më ku të fshihet!

Ora 16:14
SPAK kërkon t’i hiqet imuniteti Ballukut, Berisha: Rama do ta mbrojë me çdo çmim, populli do e thotë fjalën e tij më 22 dhjetor

1765806075_saliberisha.jpg

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit për zv,kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, teksa ka komentuar dhe reagimin e Ramës.

Berisha shkruan se kryeministri Rama do të mbrojë deri në fund Ballukun, duke e akuzuar atë si bashkëpunëtor në aferat korruptive. Kreu i PD e mbyll reagimin e tij duke thënë se populli do e thotë fjalin e tij më datë 22 dhjetor, dita kur është thirrur protesta kombëtare nga demokratët. 

“Rama do të përdorë si mburojë fustanin e Lubisë!

Në reagim të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunutetit dhe arrestimin e Lubisë, Rama nëpër rrjeshta shpall se ai do mbrojë Lubinë me çdo çmim sepse mbron veten e tij. 50 milionë euro i kanë ndarë bashkë.

Reagimi i tij në X mund të mblidhet me dy fjalë: “Jetën e japim Lubinë nuk e japim.”

Imagjinoni kur t’i komunikojnë akuzën vetë atij?

Qytetarë është ora juaj! Populli do të thotë fjalën e tij me 22 Dhjetor!”, shkruan Berisha.

Ora 15:55
SKEDA/ SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, rruga që ndjek Kuvendi për heqjen e imunitetit

1763639608_belindaballuku.jpg

SPAK ka kërkuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku pasi Kushtetuesja e ktheu në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama. Për të zbatuar masën e arrestit, qoftë arrest me burg apo arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të deputetit për Ballukun. SPAK e ka depozituar kërkesën, por çfarë rrugë ndjek Kuvendi?

Çështjen e heqjes së imunitetit për një deputet apo anëtar qeverie dhe dhënien e lejes për arrestim e zgjidh neni 118 i Rregullores së Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit tashmë ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një institucion me 10 anëtarë (5 mazhoranca dhe 5 opozita). Deputeti vihet në dijeni dhe ka të drejtë të mbrohet para Këshillit.

Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve përgatit një raport, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare.

Shqyrtimi bëhet në seancën pasardhëse plenare të Kuvendit si pikë e parë e rendit të ditës. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.

Tani mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do të vendoset menjëherë në lëvizje për këtë kërkesë të SPAK për arrestimin e Ballukut, pasi rregullorja nuk parashikon afatin për nisjen e procedurës. Në të gjitha rastet afati maksimal sipas rregullores për një vendimmarrje është 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Anëtarët e Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren
PS
Niko Peleshi
Taulant Balla
Ulsi Manja
Bledi Çuçi
Bledi Çomo
Antoneta Dhima anëtar zëvëndësues
Arkend Balla anëtar zv/anëtarë
PD
Gazment Bardhi
Oerd Bylybashi
Elda Hoti
Gent Strazimiri
Saimir Korreshi
Ivi Kaso zv/anëtarë
Gerta Bardeli  zv/anëtarë
Ora 15:40
SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Ballukut, Blushi: Të mblidhet Këshilli i Mandateve, pikë e parë e rendit të ditës e seancës së 18 dhjetorit

1762269664_tediblushi.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë ka kërkuar zyrtarisht mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, pasi SPAK kërkoi arrestimin e Zv/Kryeministres Belinda Balluku.

Sipas kërkesës, miratimi i autorizimit duhet të vendoset si pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare të datës 18 dhjetor.

Partia e Lirisë thekson se vjedhja e taksave të shqiptarëve nuk mund të mbrohet më me imunitet politik dhe se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në mburojë të korrupsionit, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt për përgjegjësi politike dhe morale.

'Në zbatim të Rregullores së Kuvendit, neneve 13 dhe 118, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, kërkoj mbledhjen sa më parë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për miratimin e kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e Zv/Kryeministres, Belinda Balluku.

Miratimi i autorizimit të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës plenare të datës 18 dhjetor.

Vjedhja e taksave të shqiptarëve nuk mund të ketë më asnjë sekondë më shumë imunitet politik dhe Kuvendi nuk mund të shndërrohet kurrë në mburojë të korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të afërt të tij'.

Ora 15:03
SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, reagon Rama: Do të mbajmë një qëndrim të drejtë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Ballukut dhe autorizimin për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë kritikon arrestet në burg ose në shtëpi, pa gjyq, duke e cilësuar të turpshëm "faktin që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur".

Në fund të reagimit të tij, numri një i qeverisë thotë se sa i përket grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipëisë, kjo forcë qeverisë do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do të mbajë një qëndrim të drejtë.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren - me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur - një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane - gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.

Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.