Minush Jero: Historia e një nate me
shi”, drama që xhindosi Hysni Kapon

Minush Jero: Historia e një nate me<br />shi”, drama që xhindosi Hysni Kapon
TIRANE- Minush Jero ishte në zgrip në verën e 1972. Teksa jepte mësim në gjimnazin e Shijakut, ai ende nuk e dinte se pak muaj më vonë, do të nisnin hetimet, dhe se në prill të 1973 ai do të arrestohej me akuzën për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor, e ca më tej Gjykata e Tiranës do t’i jepte dënimin me 10 vjet heqje lirie.

Por në verën e 1972, ekzaktësisht në 1 korrik 1972, Hysni Kapo parashtronte në një fletë të bardhë me shkrim dore 10 kërkesa, përmes të cilave duhej të jepej informacion rreth jetës, veprimtarisë dhe asaj çfarë shkruante dhe botonte Minush Jero. 

Shkresa i ishte dërguar Ismail Hoxhës në seksionin e arsim kulturës në Komitetin Qendror të Partisë dhe nga formulimi i dosjes ku ruhet kjo shkresë dhe informacioni që harton më tej Ismail Hoxha, kuptohet se interesimi për Minush Jeron vinte më nga lart.

Në dosjen me numër 376 që ruhet në fondin 14 të Arkivit Qendror të Shtetit, në shënimin përshkrues për dokumentet mbi Minush Jeron shënohet: “Mbi disa të dhëna për Minush Jeron, arsimtar në shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm Shijak të rrethit të Durrësit, autor i disa dramave me gabime ideologjike dhe disa mendime për dramën “Historia e një nate me shi” të shkruar prej tij. P. S. Informacionin e ka parë shoku Enver Hoxha, ka shënime të shokut Hysni Kapo në fletët nr. 11, 12.”

Çfarë kishte në dramën “Historia e një nate me shi”, që udhëheqjes së lartë komuniste nuk i kishte pëlqyer? Drama ishte përfshirë në një botim të fundit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe ajo trajtonte një histori nga Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri.

Ajo çka e shqetëson Hysni Kapon në shënimet e tij në formë kërkesash ishte se në këtë dramë sipas tij nuk kishte “asnjë fjalë për Ushtrinë NÇl”, “anjë fjalë për Partinë” dhe se “Partizanët tanë nuk janë futur në fshatra të shkëputur si dhi të egra, por me skuadra, toga, kompani e batalione...”

Pra, pas telasheve që i kishte hapur drama “Njollat e murrme”, në fund të viteve ’60-të, por edhe disa fërkimeve të mëparshme ideologjike, dramaturgu ishte vënë në shënjestër. Ajo çka ai shkruante shihej me lupë, analizohej, interpretohej, ngriheshin pikëpyetje të shumta...

Dokumneti informativ i hartuar nga Ismail Hoxha sipas kërkesës së Hysni Kapos, e tregon qartësisht këtë gjë.
Gazeta sjell sot këtë histori që sillet rreth dramës “Historia e një nate me shi”, duke botuar të plota, shënimet e Hysni Kapos për Ismail Hoxhën dhe Ramiz Alinë, dhe dokumentin me informacione i hartuar për Komitetin Qendror nga Ismail Hoxha,  rreth Minush Jeros dhe veprës së tij.
 

Dokumenti 1 (Me shkrim dore nga Hysni Kapo)
 
- A është autor i lidhjes?
- Ku punon?
- Si qëndron?
- Çfarë tjetër ka shkruar?
- Nuk shoh asnjë fjalë për ushtrinë NÇl.
- Asnjë fjalë për Partinë.
- Kot flitet për Divizionin e parë.
- Partizanët tanë nuk janë futur në fshatra të shkëputur si dhi të egra, por me skuadra, toga, kompani e batalione.
- Pse e redukton këtë periudhë heroike të luftës në 2 partizanë të izoluar?
- Si mendon shoku Ismail Hoxha për këtë dramë dhe personin?
(Firma H.Kapo)
1-7-72
 
Shënim për Ramiz Alinë
(Shënimi ëhstë bërë me shkrim dore mbi dokumentin me informacionin e dhënë rreth Minush Jeros)
 
Shoku Ramiz.
Shihe edhe ti këtë informacion. Mua më duket se ata të Shtëpisë Botuese nuk i shikojnë gjërat nën prizmin politiko-ideologjik dhe njerëzit që shkruajnë as pyesin ç’janë. Ka mungesë të theksuar vigjilence partie, oportunizëm dhe hutesë. E keqja është se ky qëndrim mbahet ndaj njerëzve që politikisht nuk qëndrojnë mirë. Edhe kritikët e redaktorët në këtë drejtim nuk tregohen vigjilentë dhe me partishmërinë që duhet.
(Firma H.Kapo)
31-8-72
 
Dokumenti i hartuar nga Ismail Hoxha

INFORMACION
     Nga sa jemi informuar – për qëndrimin dhe veprimtarinë letrare të Minush (Emin) Hasan Jeros, çështja qëndron kështu:
     Ka qenë oficer dhe anëtar partie. Por vite më parë, është përjashtuar, sepse ka shprehur dyshime për vijën e drejtë të Partisë sonë ndaj gabimeve dhe politikës revizioniste të PK të BS në kohën e tradhtisë së Hrushovit. Këto motive, vetë personi, nuk i ka pranuar.

     Tani, Minush Jero, është mësues në shkollën e mesme “16 shtatori”në Shijak. Puna e tij si mësues lë për të dëshiruar, mbasi ai është i preokupuar më tepër për krijimtarinë.
     Nuk është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sepse nuk ka paraqitur kërkesë për të hyrë në radhët e saj.

     Si letrar, Minush Jero ka shkruar nja 6 drama. Disa prej tyre janë shfaqur ose botuar. Ndër to ka pasur pjesë të arritura, por edhe pjesë të dështuara për gabime të theksuara ideopolitike, siç ishte drama "Njollat e murrme”.

     Kohët e fundit ai ka botuar një përmbledhje me tri pjesë, ku është përfshirë e ripunuar edhe drama “Historia e një nate me shi”.
     Kjo pjesë, në vitin 1963, para se sa të shfaqej në skenë nga Teatri i Durrësit ka qenë pezulluar për gabime ideologjike.

Një vit e ca më parë këtë vepër e mori për ta realizuar në skenë Teatri i Gjirokastrës. Në provat e përgjithshme të shfaqjes asistuan shokët Enver Halili dhe Miho Gjini (inspektor për teatrin në Ministri), të cilët kishin vërejtje ideologjike, sepse në të tingëllonte ideja e rrezikut të asgjësimit fizik e shpirtëror të njeriut tonë me “njolla”, që është i izoluar nga shoqëria e që gati “barabitet” me kafshën. Këto vërejtje iu thanë shokëve të Gjirokastrës dhe spektakli u pezullua.

     Tash së fundi kjo vepër është përfshirë në përmbledhjen e autorit që botoi “Shtëpia Botuese”. Shokët e Shtëpisë Botuese, duke u mbështetur edhe në recensionin e Kudret Velçës, kanë mendimin se vepra është e botueshme. Por, me gjithë ripunimet e bëra, duhej të kërkohej nga autori, që vepra të çlirohej nga fryma, si të thuash, disi froidiste që e përshkon atë si dhe të insistohej veçanërisht, që e reja të tingëllonte në mënyrë shumë më të fuqishme.

     Për sa i përket pjesës “Një natë e shkurtër qershori” të botuar në buletinin “Teatër”, prapë sipas recensionit të Kudret Velçës, ajo është një vepër pa asnjë vlerë artistike, ku periudha heroike e Luftës Nacionalçlirimtare është paraqitur në mënyrë shumë të reduktuar.

     Sipas shokëve të Shtëpisë së Krijimtarisë Popullore, ata e kanë botuar këtë vepër, sepse gjoja në të “besa trajtohet si një fenomen i rëndësishëm me karakter klasor” se “ajo nuk mund t’i jepet kujtdo, por vetëm shokut e mikut të vërtetë”. “Nga ana tjetër, kuptimi i besës siç e shtron autori është tepër aktual dhe në marrëdhëniet e popullit dhe të Partisë sonë me popujt dhe vendet e tjera”. Këto arsyetime të shokëve të Shtëpisë së Krijimtarisë, nuk qëndrojnë, janë më tepër fantazi.

     Është e nevojshme që Minush Jero të mbahet më afër dhe të ndikohet ideologjikisht më shumë mbi krijimtarinë e tij, si nga organizata e partisë së shkollës ku ai është mësues, ashtu dhe nga qarqet letrare të rrethit të Durrësit. Nga ana tjetër, organet botuese ose teatrot nuk duhet të jenë toleruese, duke botuar ose shfaqur çdo gjë që shkruan ky autor. Ato nuk duhet të bien nën presionin e ndonjë kritiku apo artisti që mbajnë qëndrim subjektiv ndaj krijimtarisë së Minush Jeros.
faksimile komunizmi


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg