Minxhozi: Hijet e errëta të një sondazhi

Minxhozi: Hijet e errëta të një sondazhi

Berisha, Rama dhe Meta

Kolegu i vjetër Eduard Zaloshnja e ka shumë për zemër artin e sondazheve. Është ndër të paktët që sondon opinionin publik edhe kur s’ka gara elektorale. Në analizën më të fundit të votave ai ka paraqitur preferencat e shqiptarëve për kryeministrin e ardhshëm. Një përballje intriguese në distancë mes Ramës dhe Berishës, duke parë ashpërsinë që ka marrë jeta politike e vendit gjatë vitit të fundit.

Sipas Zaloshnjës sot ka rreth 8 përqind më shumë votues që preferojnë një mandat të katërt të Edi Ramës, sesa ata që preferojnë rikthimin e tretë të Sali Berishës në vitrinën e skenës politike shqiptare. E përkthyer në shifër absolute votash, mes të dyve egziston aktualisht një diferencë jo e vogël, rreth 130 mijë vota.

Sondazhi i mësipërm nuk ngjan një rrufe në qiell të hapur për opozitën. Përkundrazi. Të gjitha leximet e opinionit publik pas shpërthimit të krizës Basha-Berisha në PD, pasuar me konsolidimin e pushtetit të Doktorit mbi partinë e vet, kanë prodhuar një situatë depresive mbi votuesin e mesëm shqiptar. Euronews analizonte në një tjetër sondazh në 27 janar të vitit 2022 pëlqyeshmërinë e Ramës dhe Berishës, duke i nxjerrë përkatësisht në shifrat 50.1% dhe 21 % preferencë. Pra 30 pikë përqindje diferencë.

E njëjta media në tetor, pra dy muaj më parë e ngushtonte disi këtë diferencë, teksa e jepte Ramën në 40% pëlqyeshmëri, kurse Berishën në 26% të preferencës së 1000 të anketuarve në gjithë vendin. Sërish humnera shifrore mes të dyve duket se jep shumë pak shpresë për një rikthim të Berishës.

Sondazhi i Zaloshnjës dhe testimi i Euronews janë zhvilluar në një klimë aspak të thjeshtë për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij. Lufta e Ukrainës në sfond me rritjen galopante të çmimeve, stina e dimrit me frikën e një krize energjitike, skandalet dhe akuzat e përsëritura që kanë goditur e vijojnë të godasin eksponentë qëndrorë të maxhorancës, pa harruar çeshtjen McGonigal – të gjitha këto e bëjnë të komplikuar mandatin e tretë të Edi Ramës.

E megjithatë Berisha, e bashkë me të edhe Meta, nuk po munden të arrijnë rezultatin e “dyshes rezervë” Basha-Kryemadhi. Të dy këta në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 thuajse e barazuan në shifra votash proporcionale Partinë Socialiste, duke e tkurrur diferencën mes tre partive PS-PD plus LSI në rreth 30 mijë vota.

Tani që në fushë kanë zbritur “senatorët” Berisha e Meta punët për opozitën po shkojnë më keq sesa kur timonin e kishin në dorë shqytarët. Një paradoks i cili e ka megjithatë një shpjegim racional. Berisha u thirr në krye të partisë së tij me tam-tame të mëdha nga militantët e besnikët. E ka një njollë nga Amerika por të paktën është i vetmi që na kthen në pushtet, thuhej në PD para një viti teksa hiqeshin xhamat e dyert e blinduara të Lulit. Entusiazmi televiziv i Foltores me salla të vogla të mbushura me fanatikë që bërtisnin duket se i gënjeu ata që besonin në një mrekulli të tretë të Sali Berishës.

Asgjë e tillë s’po ndodh, edhe kur në krah të Doktorit është ulur ish-presidenti, i cili dihet se ka namin e luftëtarit të votave të minutës së fundit. Berisha dhe Meta janë një çift që sot vlejnë tetë përqind më pak se një kryeministër i një qeverisjeje të mbytur nga pesha e pushtetit të vet, mërzia e të qënit në majë dhe skandalet e akumuluara. Hijet e errëta të sondazhit të Zaloshnjës vetëm sa rikonfirmojnë një frikë të vjetër të opozitës shqiptare: që Berisha e gjen veten sot, dy vjet pas zgjedhjeve, duke ndjekur shifrat elektorale të Lulzim Bashës, në vend që të sfidojë pushtetin e Edi Ramës. Një sherr selie, jo një garë për pushtetin e vendit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille