Minxhozi: Kur Ilir Meta paraqitet me furçe boje te dera e Borschardt

Minxhozi: Kur Ilir Meta paraqitet me furçe boje te dera e Borschardt

Ilir Meta

Nëse ka patur ndonjë iluzion se krizën politike aktuale mund ta zgjidhte ndonjë (apo disa) shqiptar, pa qenë i ulur në një cep të tryezës një arbitër i huaj, le të lexojë letrën e Presidentit Ilir Meta drejtuar OSBE. Personi që i ka kaluar javët e fundit duke sulmuar ekskluzivisht ndërkombëtarët, njeriu që vetëm para dy ditësh përsëriste pafund tek dera e Gjykatës Kushtetuese “drejtësia shqiptare do e shpëtojë këtë vend”, sot kthehet e thotë se na u dashka papritur “drejtësia e huaj”!

Pra, pasi anatemoi me rradhë ambasadorët e BE, OSBE, pasi ironizoi në mënyrë therëse disa prej europdeputetëve që nuk i pëlqente, pasi ushqeu sa mundi komplotin ndërkombëtar që niste tek Sorosi dhe mbaronte në zyrat e institucioneve më të larta evropiane – sot Ilir Meta na tregoi se ka ndërruar mendje. Ka thirrur në ndihmë të huajt! Tani ata i duam në krye të tryezës dhe drejtues të procesit të negociatave mes palëve. U fashitën sulmet ndaj Sorecas dhe të tjerëve, u harrua boja e zezë me të cilën u shkruan parullat kërcënuese ndaj ambasadorit të OSBE nga ithtarët e partisë së tij! Ilir Meta thërret në ndihmë të huajt, pasi këtë e ka të vështirë ta bëjë për momentin vetë opozita. Një zgjidhje perfekte “Deus ex Machina”, meqë jemi edhe në optikë teatrosh këto kohë.

Transformizmi i Ilir Metës është në fakt edhe transformizmi i opozitës. I asaj pjese të klasës tonë politike që më shumë se të tjerat është tunduar këto vite nga të bërit e punëve “shqiptarçe”, pa të huaj “nëpër këmbë. Një sindromë e vjetër, e cila si përfaqësues klasik njeh Babën. Kjo e sotmja është sjellja kolektive e një sektori të klasës tonë politike që i thoshte në shkurt-mars eurodeputetëve se “ka ardhur koha që të ketë një rotacion pushteti në Shqipëri”. Pa zgjedhje, pa rregulla loje, por vetëm duke hedhur mandatet në Lanë!

Është sjellja e atyre politikanëve opozitarë që kanë harxhuar frymën nëpër mitingje e studio televizive, apo që kanë shkruar lumenj mallkimesh në media e rrjetet sociale, pikërisht kundër këtyre të huajve që sot presidenti vendit i thërret për ndihmë në emrin e tyre.

Nuk ka pasur asnjë dyshim, që ditën e 18 shkurtit, kur Basha e Kryemadhi gatuan krizën më budallaqe të historisë tonë politike, se këtë absurd mund ta zgjidhnin vetëm të huajt. Kaq e marrë dhe qesharake është situata që u krijua këto muaj, saqë vetëm një ndërhyrje nga jashtë mund t’i japë drejtim. një ndërmjetësim nga ata që imponuan mbajtjen në këmbë të qeverisë, që bënë të futen poshtë tavolinës fanatikët e molotovit dhe kapsollave, që ngulmuan për 30 qershorin dhe që janë bërë parzmore e reformës në drejtësi.

Ilir Meta e pranoi i pari publikisht, brenda kampit opozitar, që kjo puna e mandateve nuk të nxjerr askund. Flamuri i bardhë me të cilin po paraqitet sot në derën e OSBE, është një metaforë përmbyllëse e shkarravinave që i prishën gjumin Bernd Borchardt në banesën e tij në Tiranë, në mes të muajit maj. Kjo ftesë është njëherësh edhe iluzioni se duke ju drejtuar OSBE, pasi ke marrë shuplaka të pësëritura nga BE dhe SHBA, ka pak më shumë shanse të arrish një kompromis minimalisht të pranueshëm. E nëse kjo është vërtetë llogaria e presidentit, është sërish një iluzion optik i rrejshëm. Sepse ndaj vendeve si Shqipëria, të mëdhenjtë nuk kanë kohë të kenë disa pozicione. Një i tillë mjafton e tepron, e ai është marrë qysh në krye të kësaj krize që sot ka degjeneruar në parodi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hinglateri: 27/07/2019 14:38

    Meta po lepin ate qe volli

    Përgjigju
    • O tej: 27/07/2019 15:28

      Me demek edhe Mones?

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare