Minxhozi: Mesazhi i qartë evropian për partinë-lavjerrës të Metës dhe gjithë politikën shqiptare

Minxhozi: Mesazhi i qartë evropian për partinë-lavjerrës të Metës dhe gjithë politikën shqiptare

Ilir Meta

Socialistët evropianë na mësuan se paska edhe rreshtim ideologjik, si kriter i grupimit të partive politike në Evropë. Nuk qenka vetëm një lojë trafiku të pisët interesash, por edhe një çeshtje platformash, idesh e vizionesh që ndajnë të majtën dhe të djathtën e sotme në kontinentin e vjetër. Mospranimi i Partisë së Lirisë në kongresin e rradhës të partive socialiste evropiane në Berlin, shoqëruar me arsyen e refuzimit, është një mesazh i fortë se politika duhet të jetë edhe një bashkim vlerash të caktuara kulturore e sociale, përjetimesh, botkuptimi, analize e qëndrimesh të përbashkëta, e jo vetëm sport milionash që të bashkon herë me njërën anë, e herë me tjetrën.

Në 30 vitet e fundit një nga defektet bazë më të dëmshme e të theksuara të sistemit politik shqiptar, ka qenë ai i përzierjes së vazhdueshme të krahëve, i bjerrjes së ideologjive që qëndrojnë në themel të dallimit e ndarjes së rreshtimeve të mëdha, i kalimit nga nja anë në tjetrën të forcave politike më të vogla, apo edhe më keq, i degjenerimit në këtë aspekt të vetë partivë të mëdha që predikojnë një filozofi të caktuar, e aplikojnë të kundërtën e saj.

Shqipëria është laborator perfekt i vdekjes së ideologjive, siç është quajtur fenomeni në dekadat e fundit, sidomos me rënien e perëndorisë komuniste në fundvitet ’80. Një pjesë e mirë e burrave e grave që populluan elitën tonë politike në këto tre dekada, ishin gjithçka përveçse qenie të rreshtuara me ide të kundërta e konkuruese. Kishin hyrë në politikë në vitet ’90 për të ndërruar pllakat e banjos, siç thoshte dikur avokat Ngjela. Dikush që dëshëron të ekzagjerojë, është dhënë rregullisht pas idesë se “këtu qeverisin komunistët”, duke ja vënë fajin origjinës së lëvizjes demokratike dhe lidhjeve të saj të nënujshme me regjimin komunist diktatorial. Të tjerë thonë se këtu janë të gjithë hajdutë, oligarkë etjetj. I perceptojnë si një grup, pak rëndësi kanë siglat që mbajnë në jakën e xhaketës.

Politika shqiptare erdhi duke e humbur indin e vet që të lejonte të dallosh njërën palë nga tjetra. Shumëkush e ka shitur me hipokrizi këtë proces si emancipues apo liberal e modern. Në fakt ka qenë dhe është një fenomen gërryes e shkatërrimtar për jetën politike të vendit.

Pas dekladës së parë të pluralizmit, kur vuajtëm vitet 97-98 dhe egërsinë e tranzicionit fillestar, kemi nisur të përjetojmë një stinë të gjatë ku rivalitetet personale, interesat meskine e jo dasitë politike e ideologjike, ishin shkaku i tensionit politik në vend. Qeveri të majta që pasi majmeshin me shkelje të të gjitha natyrave, i shtrinin dorën Berishës për t’i dhënë presidentin e prokurorin e përgjithshëm. Në anën tjetër, edhe ky i fundit, pasi vinte në pushtet në 2005, i shtrinte dorën Ilir Metës së majtë për kaluar pragun e vdekur të 70 votave të fituara në zgjedhjet e 2009.

Pas atij momenti kur LSI hodhi një hap të qartë interesi e jo parimesh, përzierja e krahëve ka ndodhur gjithnjë e më shpesh, me deputetë të majtë që kanë votuar djathtas apo anasjelltas, me parti që një herë i shihej në krah të Ramës, e një përkrah Berishës apo Bashës. Politika shqiptare sot është një treg i gjësë së gjallë ku gjithçka shitet e blihet, më shumë sesa një arenë përplasjeje idesh që burojnë nga koncepte të ndryshme për shoqërinë, zhvillimin dhe drejtimin e punëve të vendit.

Vendimi i PES është një sinjal i fortë në këtë mishmash shqiptar ku s’ka më asnjë vlerë, asnjë bindje personale apo grupi, por vetëm garë interesash milionere. Është mesazhi i duhur për t’u çuar në një ambjent ku politika ka pushuar së qeni një angazhim, e është kthyer në një tregëti të paskrupullt pushteti. Në fund të fundit është fare e thjeshtë: e dinë të gjithë se partia e Metës nuk është më e majtë sepse ai de ka dashur të tillë për të kërcënuar gardhin e Sali Berishës. Një parti-lavjerrës që shkon sa andej-këtej. Atëhere pse PL duhet të shkojë në një kongres të majtësh?!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kur lindi ideja e projektit për resortet në Sazan? Përgjigjet Rama: Nuk negociojmë për interesa personale

Kur lindi ideja e projektit për resortet në Sazan? Përgjigjet Rama: Nuk negociojmë për interesa personale