Kombëtarja shqiptare e futbollit U-21 vijon përgatitjet në Durrës në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të muajit qershor ndaj Sllovenisë U-21 dhe Italisë U-21.
Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi dhe stafit teknik, kuqezinjtë janë stërvitur rregullisht gjatë këtyre ditëve, duke punuar për të qenë sa më të përgatitur për dy sfidat e rëndësishme ndërkombëtare. Pasditen e sotme, ekipi do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në Durrës, ndërsa nesër do të udhëtojë drejt Italisë.
Përballja e parë, Slloveni U-21 - Shqipëri U-21, do të zhvillohet më 5 qershor, në orën 20:15, në stadiumin “Ajdovščina”.
Tre ditë më vonë, më 8 qershor, kuqezinjtë do të sfidojnë Italinë U-21. Takimi Itali U-21 - Shqipëri U-21 është programuar të nisë në orën 18:15 dhe do të luhet në stadiumin “Omero Tognon”.
Dy ndeshjet miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e grupit dhe për të vijuar përgatitjet në kuadër të kampionatit Europian U-21 2027.
Komente








