Miratohen 10 paketat shëndetësore
Beqaj: Financim 100 % nga qeveria

Miratohen 10 paketat shëndetësore<br />Beqaj: Financim 100 % nga qeveria
TIRANE- Për herë të parë shteti do të financojë kurimin e të sëmurëve për 10 paketa shëndetësore si në spitale publike, ashtu edhe në ato private. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe rimbursimi do të përballohet nga fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Nga ky vendim do të përfitojnë pacientët e shërbimit të Nefrologjisë, Implantit Koklear, Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë.
 
Paketat
Vendimi i Miratuar nga Këshilli i Ministrave është sqaruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili ka theksuar se paketat e shërbimeve do të financohen 100 % nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor për të gjithë personat të cilët do të kenë nevojë për këto shërbime. “Janë 4 grupe në shërbimet e nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe të implantit koklear. Është një punë voluminoze, e realizuar në një kohë optimale, në bashkëpunim, midis Fondit dhe shërbimeve universitare spitalore.

Ne bëhemi gati me miratimin e paketave dhe me ndryshimin e vendimit për financimin e spitaleve, të financojmë këto lloj shërbimesh, edhe në institucionet jopublike” ka theksuar Beqaj. Sipas tij, këto nuk do të jenë të vetmet paketa të miratuara, pasi në vazhdim do të ketë të tjera. Ministri Beqaj ka pohuar se tashmë Fondi i Sigurimeve brenda 30 ditëve do të hartojë protokollet dhe pas 2 muajsh do të krijohen regjistrat kombëtar të realizmit të këtyre shërbimeve. “Në përzgjedhjen e shërbimeve u morën parasysh kriteret; shëndetësor, social dhe ekonomik. Sigurisht, u pa edhe cili është raporti midis kostos dhe efektivitetit të shërbimit, si dhe disponueshmëria financiare e burimeve të Fondit gjatë këtij viti. Gjithashtu u mor parasysh edhe cili është numri i përfituesve të secilës nga këto sëmundje në raport edhe me grupmoshat edhe me popullsinë”, nënvizoi Beqaj.
 
Kostot
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka nxjerrë dhe kostot reale për 10 paketat e miratuara. Sipas këtyre kostove më e shtrenjta do të jetë ajo e transplanit e cila shkon në 1.1 milion lekë të reja, ndërkohë që më e lira ajo e dializës me rreth 11 mijë lekë. Sa i përket paketave të kardiologjisë ato kanë një kosto nga 51 mijë lekë të reja e deri në 554 mijë. Sipas të dhënave rezulton se te kardiologjia është edhe numri më i madh i pacientëve, të cilët nuk do të presin me radhën për të bërë një analize koronarografie apo një bypass. Deri më sot i vetmi shërbim shëndetësor që financon shteti në privat është dializa për të sëmurët me veshka. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024