TIRANË, 29 Tetor /ATSH-Gjergji Mima/ - Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat e transferimit të studimeve dhe tarifat e shkollimit për studentët, që transferojnë studimet nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr liçenca, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2014 - 2015.
Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
VENDIM PËR KUOTAT E TRANSFERIMIT TË STUDIMEVE DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT PËR STUDENTËT, QË TRANSFEROJNË STUDIMET NGA INSTITUCIONET PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË, TË CILAVE U ËSHTË HEQUR LICENCA, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, NË VITIN AKADEMIK 2014 - 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24, 26, 34, 35 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Studentët, që ndiqnin studimet në institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca, mund të transferojnë studimet e tyre në institucionet publike të arsimit të lartë në një program studimi të njëjtë apo të ngjashëm me atë që ndiqnin në institucionet nga ku transferohen.
2. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2014 - 2015, për transferimin e studimeve nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca, janë të ndara, si më poshtë vijon:
a) Kuota për transferim në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë 2 800;
b) Kuota për transferim në programet e studimit të ciklit të dytë "Master i Shkencave" apo
"Master i Arteve të Bukura" 281;
c) Kuota për transferim në programet e studimit të ciklit të dytë "Master Profesional" 162;
3. Kuotat e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, shpërndahen sipas tabelave nr.1, nr.2 dhe nr.3, përkatësisht, për programet e studimeve të ciklit të parë, programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë dhe programet e studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Tarifa vjetore e shkollimit përcaktohet në tabelat nr.1, nr.2 dhe nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimit bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Kësti i parë parashikon pagesën në masën 30% të tarifës totale dhe paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit në programin përkatës të studimit.
6. Studentët e huaj transferojnë studimet pas plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore për ndjekjen e studimeve në Republikën e Shqipërisë, të cilat bëhen publike pranë institucionit të arsimit të lartë ku kërkojnë të transferojnë studimet.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare". /a.ke/