FIFA konfirmuar rregullat e reja të lojës që do të aplikohen në Kupën e Botës 2026. Ato pritet ta bëjnë futbollin më të drejtë dhe më dinamik. Sistemi i rishikimit të rasteve me video, VAR, pritet të marrë më shumë kompetenca, teksa do të aplikohen edhe në goditjet e këndeve apo në kartonat e dytë të verdhë. Një peshë të madhe në turneun që do të fillojë pas pak ditësh do të ketë edhe vonesa e lojës, duke mos u toleruar më nga portierët, apo futbollistët që bëjnë si të dëmtuar. Më shumë kujdes do të tregohet edhe në rivëniet anësore sa i takon vonesës së lojës.

Më poshtë rregullat e reja të futbollit:

-Numërim mbrapsht për rivëniet anësore (5 sekonda): Nëse një lojtar e vonon qëllimisht rifillimin e lojës, rivënia anësore mund t’i jepet ekipit kundërshtar.

-Numërim mbrapsht për rinisjen e lojës nga portieri ose lojtari (5 sekonda): Vlen gjithashtu për përpjekjet e qëllimshme për të humbur kohë. Në rast shkeljeje, kundërshtarit mund t’i akordohet një goditje nga këndi (korner).

-Zëvendësime me afat kohor (10 sekonda): Lojtarët e zëvendësuar duhet të dalin nga fusha brenda 10 sekondave, në pikën më të afërt. Nëse nuk e bëjnë këtë, zëvendësuesi nuk mund të hyjë në lojë për të paktën 1 minutë dhe ekipi duhet të vazhdojë me 10 lojtarë.

-Trajtimi mjekësor jashtë fushës (1 minutë): Lojtarët që marrin trajtim nga stafi mjekësor duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda. Ka disa përjashtime, përfshirë portierët, lëndimet dhe rastet kur kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.

-Mbulimi i gojës gjatë përballjeve me kundërshtarin: Çdo lojtar që e mbulon gojën në një situatë të paqartë me një kundërshtar mund të ndëshkohet me karton të kuq.

-Goditjet e këndit mund të verifikohen: VAR-i mund ta kontrollojë nëse një goditje nga këndi është akorduar saktë, por kontrolli duhet të bëhet shpejt dhe para rifillimit të lojës.

-Kartonët e dytë të verdhë mund të rishikohen: Lojtarët që përjashtohen pas kartonit të dytë të verdhë mund të përfitojnë nga një kontroll i vendimit, por nuk do të ketë rishikime për situata që mund të çonin në një karton të dytë të verdhë.