Miratohet aministia, falen dhe
ata që kanë vjedhur energjinë

Miratohet aministia, falen dhe<br />ata që kanë vjedhur energjinë
TIRANE - Megjithë debatet e ashpra në seancën plenare të kësaj të hëne, opozita dhe maxhoranca bashkuan votat për të miratuar amnistinë e fundvitit. 110 deputetë votuan pro amnistisë, pas rënies dakort në minutë të fundit për të përfshirë në këtë aministi edhe të dënuarit për vjedhjen e energjisë elektrike.

Kuvendi vendosi që të shtojë në kategorinë e përfituesve çdo të dënuar, duke ulur 1.5 vite burg për çdo grua, pavarësisht veprës penale që ka kryer, dhe 1 vit ulje për çdo burrë. I dënuar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë, deri në datën 30 nëntor 2015.

Nga kjo amnisti përfitojnë:
a) personat e dënuar vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) ose personat, për të cilët gjykata deri më datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit;

c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

ç) personat e dënuara femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

d) personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

dh) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për disa vepra penale të rënda.

Në seancën e sotme deputetët e maxhorancës dhe opozitës bashkuan votat dhe për një numër pr/ligjesh të parashikuara në rendin e dites. Kështu, me 108 vota Kuvendi miratoi ratifikimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Singaporit ‘për shërbimet ajrore”; me 111 vota u miratua ratifikimi i dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huasë, ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të Bulevardit Verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës”.

Me 113 vota deputetet miratuan ratifikimin e Konventës së KiE-së kundër trafikimit të organeve njerëzore, ndërsa me 107 vota u miratua marrëveshja me Hungarinë ‘për mbrojtjen shoqërore’. Pr/ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin” kaloi me 108 pro, ndersa ratifikimi i dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes me qeverinë italiane për programin “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës”, u miratua me 107.

Konsensusi mes palëve gjatë votimit u prish me ligjin “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, i cili kaloi me 68 vota pro, 22 kunder dhe 7 abstenime.

Ne fund, vetem me votat e maxhorances, Kuvendi miratoi dhe shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të disa ndryshimeve në ligjin “Për dekoratat dhe titujt e nderit”, i propozuar nga deputete te maxhorances.

Ndërkohë parlamenti ka miratuar të gjitha projektligjet e parashikuara në rend dite, përfshirë edhe atë të lojrave të fatit:

-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Singaporit, për shërbimet ajrore”
-Projektligji “Për ratifikimin e dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huasë, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të Bulevardit Verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës”

-Projektligj “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës kundër trafikimit të organeve njerëzore”
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë, për mbrojtjen shoqërore” 

-Projektligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin” 
-Projektligj “Për ratifikimin e dokumenteve ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Mbrojtjes, dhe qeverisë së Republikës së Italisë, përfaqësuar nga ministria e Punëve të Jashtme, për realizimin e programit “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës”, nënshkruar më 12.7.2006”

-Projektligji “Për amnistinë”
-Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimeve të pozicioneve të punës të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe
Konfliktit të Interesave” 

-Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”

Manjani: Për amnistinë i takon parlamentit të vendosë, ndjekja penale në kolaps, duhet ndryshuar
Minstri i Drejtësisë në fjalën e tij ka theksuar se amnistia i takon parlamentit dhe asnjë partie politike apo krahu.Ministri i Drejtësisë theksoi nevojën e një reforme në sistemin e ndjekjes penale, që sipas tij është afër kolapsit. 

"Në kushtetutë amnsitia i takon parlamentit, që të shprehet nëse do apo nuk do të amnistohet një kategori personash që vuajnë dënimet penale. Ky është qëllimi. Detyra ime është të shpjegoj situtën kompetenca e parlamentit. Nëse doni bëhet, nëse jo s'bëhet, kjo s'ka të bëjë me faktin se c'farë mendon qeveria apo organet. Është një nisëm ligjore. Nuk ka qënë dhe nuk mbetet në arsyet politike. Në kushtet kur jemi në një situatë mbipopullimi të burgjeve, nevojitet amnistia. Gjërat do t'i shohim sic janë

Sistemi ynë rregjistron 5484 persona, 6300 të dënuar e të paraburgosur, jemi në gjendje mbipopullimi. Sistemi ynë i ndjekjes penale në kolaps ose afër kolapsit, kjo është arsyeja që të ngrihemi të bëjmë një reformë të thellë në sistemin e ndjekjes penale se prodhojmë më shumë të paraburgosur Jam koshient nuk është zgjidhje amnistia por është një rrugë. Ne kemi sjellë një projektligj, një mundësi për debat për të gjetur zgjidhje. Ne duhet të zgjidhim mbipullimin të trajtojmë njerezit në mënyrë të njëtrajshme."-tha ministri Manjani në fjalën e tij

Braho tërheq amendamentin për personat nën hetim
Pavarësisht se në mbledhjen e fundit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që të përfshinin në amnisti edhe të dënuarit e shkallës së parë apo personat nën hetim, Ne Kuvend Meta njoftoi se Spartak Braho ishte tërhequr nga ky amendim. Në seancën dëgjimore me ministrin e drejtësisë ditën e premte, PS dhe PD në këtë komision i kërkuan Manjanit që amnistia të zgjerohej edhe për personat nën hetim. Pjerin Ndreu i PS dhe Alban Zeneli i PD thanë se nuk ka kuptim të falen të dënuarit që ju është provuar faji, dhe të mos falen personat nën hetim, të cilët janë thjesht të dyshuar për veprën. 

Vasili: Nuk pranoj termin' një dhuratënë kohë festash
Kryetar i Grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka cilësuar amnistinë jo si dhuratë në një kohë festash. Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Vasili pohoi se kjo nismë është shqyrtuar në mënyrë profesionale, ndërsa kriter ka qenë jo rrezikshmëria e personit.

“Nisma që kemi para për shqyrtime ka vlerësuar në mënyrë profesionale ka dhënë vlerësimin se të gjithë ata që falen nuk shfaqin rrezikshmëri shoqërore. Ata duhet të integrohen në jetën e tyre. Unë nuk do ta pranojë edhe termin ‘një dhuratë që bëhet në kohë festash’. Kjo dhuratë nuk bëhet në kohë festash, por janë përpiluar kërkesat dhe janë parë mirë. Amnistia është një praktikë që nuk ndodh për herë të parë, por të reja do të ndodhin. Ne kemi parë se nga një amnisti të tjetra ka pasur ndryshime. Kjo çështje dhe ky cënim i të drejtave të njeriut mund të zgjidhet. Ndaj e vetmja zgjidhje ishte që organet përkatëse ishte që të shpejtohej gjykimi.”, përfundoi fjalën e tij Vasili.

Halimi:  “Burgosja nuk është mënyra për të bërë shtet
Deputeti i PD­-së, Eduard Halimi deklaroi se kryeministri Edi Rama mashtroi të gjithë shqiptarët me premtimet e tij marramendëse. Halmi pohoi se kjo është arsyeja që qytetarët shqiptarë janë derdhur rrugëve. “Burgosja nuk është mënyra për të bërë shtet. Ata janë nderdhur rrugëve, për të ndryshuar këtë qeveri. Kjo qeveri i mashtroi, por solli varfërinë. I braktisi premtimet dhe së bashku me të varfrit. Ata nuk e pranojnë justifikimin e Ramës që miqtë të marrin tenderat. Kjo nuk shkon, as për ata që janë jashtë, dhe as për ne që jemi këtu.

Kemi qeverisur edhe në 8 vite, edhe në koalicion, edhe me PDIU dhe LSI. Po si ka mundësi që në asnjë rast në këto 8 vite s’patëm asnjë deputet që merrte tendera. Si ka mundësi që këta janë të gjithë miq të Ramës.
Edhe kryeministri thotë se s’ka gjë se thërrime janë, por çfarë do bëjnë ata?! Tenderat me kostum i jep miqësia me kryeministrin. Janë këta më të mençur, apo kemi qenë ne më të kujdesshëm para ligjit?!Ky vend nuk mund të shkojë kurrë kështu, ndaj ata e dinë,. Nëse nuk e ndëshkojnë Ramës sot, nuk do ndëshkohet kurrë. Do e bëjë korrupsionin, kostumin e përditshëm. Ata janë ngritur dhe do ngrihen, pasi ata e dinë se kur një pulitkan jep tendera për miqtë e tij duhet të jetë dita e fundit e tij në këtë detyrë, qoftë Rama apo Basha. Se dita kur kryeministri merr prokurorë e gjyqtarë për të liruar dikë nga burgu, duhet të jetë dita e fundit e tij në atë detyrë.”, tha Halimi.

Bylykbashi: Qeveria ka grabitur masivisht paratë dhe pronat
“Kemi të bëjmë me amnistinë e tretë që shpallni në 2 vjet. Dikë që rri në shtëpi pa drita e quani hajdut të energjisë. Pa dalë fare nga shtëpia. Ndërsa për shpërndarësit e drogës ju shpallni amnisti”, ka thënë Bylykbashi. 

Sipas tij, nisma e shumicës parlamentare është vetëm një farsë, pasi ndryshe nga sa i paraqitet publikut, si një qeveri e së drejtës, kjo është qeveria e padrejtësive. 

“Kjo ka qenë një qeverisje në shenjën e së keqes jo vetëm për kriminalizimin që i keni bërë politikës, por edhe jetës në Shqipëri. Qeveria juaj karakterizohet nga padrejtësia”, ka thënë Bylykbashi, i cili të tillë ka quajtur ligjin e pronave të miratuar nga mazhoranca. 

“Që është një ligj që shpronëson pronarët, të cilëve duhet t’u kthehet prona e plotë, por që ju i thoni do t’ju jap një fraksion të vogël të pronës dhe më pas pjesa tjetër do t’i jepet klientit më të mirë të qeverisë. Nëse këtë e quani drejtësi, ju qofshi”, është shprehur Bylykbashi. 

Një tjetër padrejtësi e kësaj qeverisjeje, ka shtuar ai, është edhe presioni që është bërë ndaj administratës publike për të votuar koalicionin e majtë në zgjedhje. 

“Zgjedhësit votuan me frikën se mund të kishin pasoja për votën e tyre”, ka shtuar Bylykbashi. “Gjithashtu, mënyra se si ju po grabisni paratë publike është e padëgjuar deri më sot. Jeni bërë si hiena me paranë publike”, ka shtuar deputeti i PD.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Pesha e padurueshme e diktaturave! Kur të zhveshurit ishim ne!

Pesha e padurueshme e diktaturave! Kur të zhveshurit ishim ne!