TIRANE- Odhise Zoto, njeriu që nuk ishte dakort të miratonte projektin e ndërtimit të kompleksit “Jon” në Vlorë, por më pas e kaloi në KRRT dhe e votoi dhe vetë, rrezikon të dënohet me dy vite burg dhe dy vjet për mos ushtrim të profesionit në administratën publike. Pretenca është dhënë dy ditë më parë në gjykatë nga njësia hetimore Task-Forcë e prokurorisë së Vlorës, e cila argumentoi se i pandehuri Zoto,në cilësinë e ish-drejtorit të Urbanistikës së Bashkisë së Vlorës, ka shkelur ligjin e urbanistikës,duke miratuar një shesh ndërtimi, mbi ujërat e detit “Jon”, tek zona e quajtur “Uji i Ftohtë”. Objekti që është ngritur në këtë teren, i përkiste kompanisë “GBA Konstruksion” ndërsa pronarë trualli kanë qënë Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, ky i fundit vjehrri i kryetarit të PD Lulzim Basha.

Blerja e truallit
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi me anë të kontratës së shitjes së pasurisë së paluajtshme të datës 11.11.2009, kanë blerë pasurinë të llojit truall me sipërfaqe 1663 m², të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, Më datë 30.04.2010 pronarët e truallit të mësipërm kanë lidhur kontratën noteriale me shoqërinë “GBA Konstruksion”,me objekt të kontratës ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi me disa kate,sipas lejës që do të merrej nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë. Në vijim të kësaj kontrate, lidhur me truallin e mësipërm, nga pronarët e truallit si dhe nga subjekti ndërtues janë përgatitur dokumentat për tu pajisur nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë me dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e godinës së banimit dhe të shërbimit.Ky dokumentacion është arritur të analizohet nga zyra e këshillit teknik dhe drejtori i Urbanistikës Odhise Zoto. Ky i fundit ka konkluduar që “Të mos kalojë për miratim në KRRT. Të vendosë KRRT”.

Kalimi në KRRT
Studimi urbanistik pjesor në fjalë është paraqitur për shqyrtim në zyrën e urbanistikës së bashku edhe me kërkesën për shesh ndërtimi nga pronarët e truallit si dhe për lejë ndërtimit nga shoqëria ndërtuese, sipas formularit 3/1.Kjo kërkesë nuk rezulton që të jetë trajtuar në mbledhjen e Këshillit Teknik të datës 14.07.2010. Në këtë mbledhje është diskutuar vetëm lidhur me studimin urbanistik pjesor, por jo në lidhje me kërkesën për shesh ndërtimi dhe për lejë ndërtimi. Njësia e Urbanistikës nuk ka bërë ndonjë trajtim lidhur me kërkesën për sheshin dhe për lejën e ndërtimit, por ato në heshtje kanë kaluar për miratim në KRRT.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)