Mirdita, nga “shkolla” e kullave
tek auditoret universitare

Mirdita, nga “shkolla” e kullave<br />tek auditoret universitare
I
Ata që njohin sadopak historinë arsimore të Mirditës me siguri do të thonë: “të gjithë mirditorët paskan qenë njëherë mësues”. Po, pikë së pari ata që lëshuan shtëpitë e tyre për shkolla, qysh në fillimet e shekullit XX. Nuk mund të ndodhte ndryshe në një vend që kishte trashëguar analfabetizmin kronik dhe ku përhapja e arsimit ishte kthyer në problemin numër një të viteve ’30-’40 të shekullit të kaluar.
 
E tashmja bëhet shpejt e shkuar, dëshmitë e ndryshme të saj, që sot i përcjellim pa ndonjë vëmendje, nesër vijnë e “mplaken”, bëhen të kërkuara nga breznitë që vijnë, qoftë dhe për një emër, dokument etj. Ne përpiqemi t’i përfytyrojmë se si kanë qenë shkollat e mesjetës, katër - pesë shekuj më parë, por nuk kemi asnjë relikte prej tyre, që të mund ta prekim e analizojmë si “fosil”.

Me këto ritme që ka marrë teknologjia digjitale, si hyrja e tabletave në orën e mësimit etj., s’është çudi që ata që do të vijnë një brez më vonë ta gjejnë dërrasën e zezë në muze, natyrisht nëse e kemi ruajtur! Të vjen të mendosh kështu kur nuk ruhen as muret e shkollës së Velës, Kurbinit e Pllanës, tri ndër shkollat e para shqipe, por, gjithsesi, fati është treguar bujar me ne që na i ka dëshmuar sadopak ato votra diturake përmes relacioneve të misionarëve katolikë, njëherësh dhe mësuesit e parë të maleve tona.

Qysh në krye të herës duhet thënë se “shkolla e parë” e mirditasve, ashtu si e krejt malësive shqiptare, ka qenë kulla, oda familjare, ku fëmijët dhe të rinjtë ushtroheshin në vijimësi me artin e të kuvenduarit, përkorjen, pleqnimin, urtinë, drejtësinë e sjelljes në familje dhe shoqëri. Kulla nuk ishin muret e ngrehinës së gurtë dy apo trekatshe, por institucioni ekzistencial shqiptar që nga koha e Motit të Madh.

Kështu duhet kuptuar ajo dhe jo si diçka arkaike me “frengji” të errëta. Vështroni për një çast dasmat e saj fisnike, të kremtet e shënuara, shfaqjen teatrore të Buzmit Bujar, natën e Këzhnelleve, ritual pjellorie i tokës e gjësë së gjallë që vjen qysh nga kohët pagane. Indro Montaneli në vitet ‘40 të shekullit të kaluar nuk thoshte më kot se Shqipërinë e rrëfen më mirë një kullë malësore se sa të gjitha bulevardet e kryeqytetit. Kjo nuk i zvogëlon përmasat e qytetarisë së Tiranës, ama Oroshi i Malit të Shenjtë kishte shkollë përpara se në (krye)qytezën rrëzë Dajtit. Aq me tepër Durrësi kishte universitet që në shekullin e 14-të. Ndaj nuk ka kurrëfarë teprimi kur kullës i japim atribute “mësonjëtorje”.

mirditoret

Shembull në këtë drejtim ishin gratë, që i ushtronin me stoicizëm të bijat dita - ditës në punët e shtëpisë dhe punimet artizanale, lidhur me gatimin, qepjen e petkave, përgatitjen e pajës, punët e dorës, pasi lypej art për endjen, rrokëzimin, qendisjen etj. Se sa artist i përkryer ishte malësori, mjaft të ndalësh dhe në një element të vetëm - stilizimin dhe gdhendjen mjeshtërore të portikëve dhe qosheve të kullave, që nuk iu lënë gjë mangut selive të vjetra të abacive apo kështjellave europiane. Fryt i kësaj shkolle tradicionale ndër malësorë është dhe foklori, kanuni, ritualet festive etj. Është ky institucion edukimi familjar (mendoni shtëpitë e mëdha me 30, 60 apo dhe 100 pjesëtarë në Lurë, Kryezi, Dukagjin etj.) pa banga shkollore e dërrasë të zezë, që i bëri mirditasit e dukagjinasit në tërësi të ndjeshëm ndaj shkollës prej atëherë dhe deri më sot.

Por nëse në malet e Mirditës vazhdonte ky edukim popullor, për shkak të kushteve të pamundura për një arsimim të mirëfilltë si në Europë, me bijtë e kësaj treve që kishin mundur të mbërrinin në Raguzë (Dubrovnik) apo ta kapërcenin detin Adriatik, ndryshonte puna, si Gjon Gazulli që do të studionte në Universitetin e Padovas e pastaj do të ishte aty dhe pedagog, siç do të bënin emër dhe vëllezërit e tij humanistë Pali dhe Andrea. Gazullorët janë dinastia diturore pesëshekullore e Mirditës në rrafsh europian, nga shekulli XV në shekullin XX (prelatë, pedagogë, diplomatë, matematikanë, astronomë, deputetë, gjuhëtarë). Në vazhdë të tyrë vijnë të tjerë personalitete me rrënjë mirditase, si shkrimtarja shqiptardashëse Elena Gjika, aktori gjenial Aleksandër Moisiu, i cili gjatë një turneu në Beograd me 1936 tha për gazetarët se origjina e të parëve të tij ishte nga Mirdita etj.

mirdite

II
Arsimi në Mirditë ka përshkuar një udhë të gjatë, qysh nga mesjeta, me shkollën e Velës (1632), shkollën e Oroshit (1671), Kuvendin e Noviciatit të Rubikut (shek. XVII), për të ardhur te shkollat e Rilindjes Kombëtare në fundin e shekullit XIX dhe fillimet e shekullit XX. 600-a është shekulli që sjell një ndryshim themelor në krijimin e arsimit shqiptar. Ipeshkvi i Arbnisë, me seli në Durrës, Imzot Gjon Kolesi, françeskan, është dekani i parë i shkollave shqipe të mesjetës.

Ai në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e dioqezës së vet të Arbnisë (ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës, Dibrës, famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe themele të mira të besimit”. Pastaj, këta të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në Loreto (Itali), “sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n’ato vende ku s’ka shkolla e as mësues”. Dhe më e rëndësishmja: “mbasi të kenë nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”. (Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, vëllimi I, Tiranë 1963.)

Fryti i parë i kësaj ishte shkolla e Kurbinit me 1632. E njëjta parashtresë ndaj Vatikanit ishin bërë dhe nga dioqeza e Lezhës, që çon në hapjen e shkollës së Velës në të njëjtin vit (1632), ashtu si Etërit Françeskanë do të hapnin në vitin 1638 dy shkolla, në Shkodër dhe në Pllanë. Fretërit e Troshanit do të hapnin shkollën e Blinishtit (Zadrimë) vetëm një vit më vonë (1639). Abacia e Mirditës në atë periudhë varej nga Ipeshkvnia e Arbënisë dhe më pas nga ajo e Lezhës, duke qenë toka dhe selia e njërës prej shkollave të para shqipe të mesjetës - Velës.

Kur flitet për shkollën e parë të Oroshit shumëkujt mendja i shkon te shkolla e hapur në vitin 1899, por nuk është kjo e para. Vizitori Apostolik Shtjefën Gaspri, gjatë vizitës së tij në Orosh në vitin 1671, ndër të tjera përmend dhe shkollën me nxënës që mbahej nga prifti Dom Nikollë Vladani, i afërt i ipeshkvit të Lezhës.

Nuk jepen të dhëna se kur ishte çelur ajo shkollë, sa nxënës kishte etj., por sidoqoftë i rëndësishëm është fakti se në mesin e shekullit XVII Oroshi kishte një shkollë të veten me nxënës ku shkruhej gjuha shqipe. Në një tjetër dokument përmendet se, më herët, me 1657 në Mirditë kemi një seminar me 12 nxënës që përgatiten të vazhdojnë studimet e larta në kolegjet italiane, një praktikë e njohur e kohës.

Nuk thuhet se ku është ky seminar, por të gjithë gjasat janë të jetë fjala për shkollën e sipërthënë të Oroshit, pasi asokohe shpesh ky vend identifikonte Mirditën, ngaqë aty ishte kryekisha abaciale dhe selia princërore e Gjomarkajve. Në të mirë të vendpërcaktimit të këtij seminari të Mirditës, në Orosh, vjen dhe fakti që Nikollë Vladani ishte një emër i spikatur mësuesi të shqipes, i cili me 1675 bashkë me Pjetër Perlatin dëshmohet si mësues i shqipes në dioqezën e Lezhës, nga ku mvarej Abacia e Mirditës. Ky misionar në kohën kur mbahet Kuvendi i Arbnit me 1703 ishte Ipeshkëv i Lezhës, sipas Viçens Zmajeviçit, “më i afti dhe më inteligjenti në ipeshkvinjtë e tjerë”. (N. Dedaj, “Toka e Katedraleve”, Tiranë 2006.) Informacioni historik sa vjen e pasurohet. Në “Kirchen Zeitung” të vitit 1842 shkruhej se “në Shqipëri ekzistonin shumë shkolla”, e thënë kjo dyzet e pesë vite para Mësonjëtores së Korçës të 7 marsit 1887.

Mirditasit, edhe kur nuk kishte shkolla të larta në Shqipëri, do të mund të shkolloheshin në universitetet e Perëndimit edhe pas Vëllezërve Gazulli (Gjoni, Pali e Andrea) të shekullit XV. Kemi një varg meshtarësh që diplomohen në Itali, Austri, Poloni etj. Në vitin 1830 diplomohet për mjekësi në Vjenë Pjetër Doçi Mjeku (1802 – 1900), i njohur dhe si “doktori i Bib Dodë Pashës”. Ai ishte nga Malajt dhe shërbeu gjithë jetën në Shkodër.

Ky personazh vjen përmes një monografie të hershme të autorit Kadri Kërçiku mbi zhvillimin e shëndetësisë në Shkodër. Elita apo ekselenca mirditore përvijohet me shekullin XX me Lekë Margjinin (Orosh) që studio në Bullgari, Prengë Jakun (Bulgër) që mësoi në Austri, Mark Gjomarkun që studio për jurisprudencë në Firence, akademistët ushtarakë: Gjon Gjonaj, Mark Doçi, Mark Arapi etj., që studiuan në Itali, gjeneral Gjin Markun që shkëlqeu në akademinë ushtarake në Bashkimin Sovjetik, inxhinierin metalurg Frrok Pjetër Gega, gjithashtu diplomuar në BS, gjer te inxhinieri Ndue Kanari, diplomuar në Tiranë e specializuar në Francë në vitet ’80 etj.
 
III
Një pasqyrë të zhvillimit të arsimit në Mirditë, përgjatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX, e bën historiani dhe shkrimtari Zef Mark Harapi në shkrimet e veta monografike “Mirdita në histori, në gojëdhana e në zakone të veta deri në vitin 1929”, botuar periodikisht në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1931. Ky autor përshkruan me aq sa ka njohur disa shkolla të fillimeve të shekullit XX, por që sot informacionet e dhëna prej tij marrin rëndësi, pasi ka kaluar një shekull qysh se ato patën dhënë frytet e para të dijes. Duke bërë fjalë për arsimin në Mirditë, në fillimet e shekullit XX, ai pëmend tri shkollat e para të hapura nga Abat Doçi me mbështetjen e Austro-Hungarisë, e Oroshit (1899), e Spaçit (1902) dhe e Kashnjetit (1903), duke renditur dhe mësuesit, si dhe ata nxënës të paktë që ishin nisur me studime jashtë vendit, që më pas do të bëheshin figura të njohura në administratën shqiptare. Dom Prend Suli (Spaçi) ishte “ma i pari mjeshtër i shkollës shqipe të Kashnjetit”, gjurmues si rrallëkush i “kokrrave të vjetra mirditore”, të cilat i botoi në të folmen e Mirditës. Mësuesi i parë i shkollës së Rrëshenit (1900) Dom Mark Vasa është stilizuesi i flamurit të Pavarësisë në Vlorë 1912. Poeti Ndre Mjeda hap shkollën e Vigut (1903), ku jep dhe vetë mësim, e po ashtu At Shtjefën Gjeçovi hap shkollën e Gomsiqes (1907) duke qenë dhe mësimdhënës i saj. Mësuesi Kol Dema, prej Shkodre, bëhet drejtor i Konviktit “Mirdita” të Oroshit, i hapur nga qeveria shqiptare për fëmijët e Mirditës në vitin 1925. Këshilli Administrativ i Nën-Prefekturës “pat pleqnue me çue n’atë Konvikt nga 8 fëmijë për bajrak, pra 40 nxënës”, numër që rritej çdo vit.
 
Natyrisht që pamja e shkollave në Mirditë dhe gjithë arealin verior të varfër dhe pa infrastrukturë ka qenë plot zikzake deri në fundin e viteve ’40 kur u mundësua arsimi 7-vjeçar, me shkolla fillore që hapeshin dhe mbylleshin para Luftës së parë botërore dhe me shumë shkolla-kurse në vitet e para pas Luftës së Dytë, që kërkonin godina, tekste, mjete mësimore dhe personel pedagogjik të mirëfilltë. Stavri Frashëri me 1930 e analizon në mënyrë kritike gjendjen e arsimit në Mirditën e asaj kohe, por që sipas tij ishte “fatmirësi që populli malësor ka zënë të ndiejë se koha e pushkës kaloi dhe se shpëtimi i tij do të vijë nga shkollat”. Një rol të ndjeshëm në shkollimin e mirditorëve kanë luajtur shkollat e konsoliduara si Konvikti “Mirdita”, Internati i Burrelit (për zonën e Kthellës, Rranzës dhe Selitës), Konvikti “Malet Tona” në Shkodër, kurse përsa i përket arsimit të mesëm: Gjimnazi i Shkodrës, Normalja e Elbasanit, Shkolla Bujqësore e Kavajës, Kolegji Françeskan e ai Jezuit në Shkodër etj.
Mirdita, kur ende nuk kishte shkollat e saj të mesme, kishte nxjerrë poetë si Kol Mirdita (Helenau), apo profesorë me origjinë mirditase, që jepnin mësim në gjimnazet e Tiranës e Shkodrës etj., si Ndue Paluca, Kol Margjini, Prengë Kaçinari, Prenkë Jakova etj., njerëz të elitës së arsimit kombëtar. Një intelektual i formatit europian ishte At Ambroz Marlaskaj nga Kuzhneni, anëtar i Komisisë Letrare (1916), deputet i Mirditës (1923), mësues e drejtor i Kolegjit Françeskan në Shkodër (mbartur asokohe në Troshan - prej Luftës së Parë Botërore), kryetar i Lidhjes së Mësuesve shkodranë, si dhe nga viti 1934 e deri në fund të jetës së tij, pedagog e drejtues i katedrës dogmatike në Universitetin Pontifik Antonian në Romë.

mirdite
 
IV
Në Mirditën e para Luftës së Dytë, mësuesit mirditas ishin pak emra, si: Prengë Pjetër Filopati, Nikollë Ndoj (Bajraktari), Mark Gjok Legisi, Zef Vorf Nekaj, Nikollë Llesh Sumaj, Ndrecë Ndue Gjoka e Prengë Ndue Prenga.

mirdite

Nismës së re të përhapjesë së arsimit pas Luftës do t’i bashoheshin mësues të rinj, si Gjokë Elezi, Kolë Picaku, Gegë Bardhoku, Marie Tuci, Nikollë Zef Paluca, Nikollë Përgjetani dhe mjaft kursistë që u mësonin të tjerëve shkrim e këndim. Analfabetizmi ishte një plagë sociale që nuk mund të lejohej më gjatë, ndaj arsimi dhe kultura e popullatës u shndërruan në mision kombëtar, që duhet kërkuar qysh në reformat e Mirash Ivanajt në gjysmën e parë të viteve ’30, lëvizjen e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi në vitin 1941 për shtrirjen e shkollës kombëtare në Kosovë, ku mësuesi i ri mirditas Ndrecë Ndue Gjoka ishte njëri nga të dyqind të dërguarit e tij atje. Ai ishte arsimtar kombëtar dhe si i tillë prinë në Mirditë aksionin e guxmshëm të hapjes së “50 shkollave”. Nuk fut askund në shkolla militantët e kohës, por thërret njerëz të shkolluar, si pedagogjikasit e Elbasanit, ish-nxënësit e Konviktit “Mirdita” të Oroshit, të Internatit të Burrelit, me të cilët u zhvilluan kurse pedagogjike të ngjeshura. Ndreca nuk ka qenë “i vetmi trim luftë”, siç e ka paraqitur propaganda moniste. Këshilli i Nënprefekturës së Mirditës, organi qeverisës i kohës, zgjodhi një komision prej shtatë mësuesish për hapjen e shkollave dhe zhdukjen e analfabetizmit në krahinë, të cilët u “dekretuan” si misionarë të diturisë me 13 Dhjetor 1944 e që ishin: Ndrec Ndue Gjoka, Mark Gjok Legisi, Zef Vorf Nekaj, Nikollë Zef Paluca, Prengë Pjetër Filopati, Prengë Ndue Prenga dhe Gjon Llesh Tarazhi. Por, në të vërtetë, ai që i hapi shkollat ishte populli, në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasi të gjitha shkollat pa përjashtim u hapën në shtëpitë e mirditasve. Çfarë mund të bënte një individ, sado i “mitizuar”, apo dhe 7 të tillë, madje e gjithë administrata e Shpalit, po të mos ishin shtëpitë dhe vullneti i epërm i popullit për shkollën dhe dijen? Kjo nuk e zbeh rolin prej lideri të Ndrecë Ndue Gjokës, por e vendos aksionin arsimor të fillimit të 45-s në një sfond më realist e të besueshëm. Mirdita i hapi shkollat “privatisht”, pa vendim qeveria, kjo e fundit i miratoi ato pesë-gjashtë muaj më vonë, pasi u bënë fakt i kryer.

mirdite
 
Ka një keqinterpretim lidhur me shkollat e Mirditës të para Luftës së Dytë Botërore, që ka shkaktur shtrembërim të së vërtetës historike, kur thuhet se Mirdita pati 4 shkolla, 7 mësues dhe 145 nxënës. Këto janë ato shkolla që nuk janë mbyllur as gjatë Luftës, ndërkohë që Mirdita e vitit shkollor 1922-23 ka patur dhjetë shkolla, që megjithatë ishin të pamjaftueshme, pasi Nënprefekti i Mirditës i asaj kohe kishte kërkuar miratimin e 23 shkollave gjithësej: 2 në bajrakun e Oroshit, 4 në të Fanit, 10 në të Spaçit, 2 në të Kuzhnenit dhe 5 në të Dibrrit, me arsyetimin se “vetëm shkolla në e ktheftë në të mbarë këtë popull fukara, por të zgjuar nga natyra”. Shifra e rrudhur 4 shkolla, që përdorej më vonë nga agjitpropi monist, ishte për të ngushtuar artificialisht arsimin e përiudhës së Zogut.
 
V
Përvijohet një vazhdë historike pesëshekullore të arsimit në Mirditë në disa stacione, që nisin nga shkolla e Velës (1632), shkolla e Oroshit (1899), Konvikti “Mirdita” (1925), shkollat dhe kurset e 45-s, shkolla 7-vjeçarë Rrëshen (1949), Gjimnazi i Rrëshenit (1960), shkolla e mesme industriale Rubik (1969), shkolla e mesme profesionale jopublike “Shën Jozefi Punëtor” Rrëshen (2004).

Koha gjithnjë rivlerëson individë dhe ngjarje, qoftë dhe më vonesë. Mësuesja e Sangut e 70 viteve më parë, Marie Tuci, sot është një martire dhe e Lumnueme e kishës katolike. Zef Nekaj, pedagogjikasi i Elbasanit që shërbeu mësues në Gojan të Epër e më pas në gjimnazin e Prizrenit, përfundoi emigrant politik në Amerikë - profesor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Huaja në Monterey të Kalifornisë, publicist i “Shejzave” (Romë) dhe i “Buletinit Katolik” (SHBA). Duke mos iu lejuar vazhdimi i karrierës ushtarake, në vitet ’50 shkollës së Mirditës i shkoi si mësimdhënës edhe ndonjë diturak fisnik si Mark Arapi, oficer i diplomuar në Itali etj., por nuk do ta kishte as këtë mundësi shkrimtarja disidente Musine Kokalari, lauruar për letërsi në Romën e viteve ’30 të shekullit të kaluar, që paradite përziente llaç në ndërmarrjen e ndërtimit, kurse mbasdite shëtiste rrugëve të Rrëshenit si të ishte një konteshë aristokrate e sapodalë nga sallonet mondane angleze.

Në Mirditë kanë punuar me përkushtim shumë mësues të ardhur nga rrethet e tjera, ku duhet veçuar roli i atyre shkodranë, për më shumë se shtatëdhjetë vjet, nga Kol Dema e Cin Gurakuqi në fillimet e shekullit XX, te Bik Pepa, Kin Baqli, Isa Alibali, Çesk Kumria, Fran Çukaj etj. në vitet ’50-’60 po të shekullit të kaluar. Por dhe mësues nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Gjirokastra etj., si Loredan Bubani, Llukman Kosovrasti, Lydra Anamali etj. Në drejtimin e arsimit, kabinetin pedagogjik dhe në mësimdhënie ka mbetur i arkivuar kontributi i mësuesve mirditas universitarë, të një “brezi të dytë”, si Simon Prendi, Zef Përndoj, Drane Cara dhe plot emra të tjerë mësuesish ndër vite që hasen nëpër regjistrat, amzat, deftesat shkollore, si dhe në botimet e viteve të fundit. Një vend nderi në arsimtarinë e Mirditës kanë dhe mësuesit specialistë të industrisë Zef Gera, Vasil Pashko, Vilson Myftiu etj. Mirdita ka dhe elitën e vet akademike, që dëshmohet kryekrejet nga emra studiuesish e pedagogësh si Mark Tirta, Pal Doçi, Marenglen Gjoni, Luigj Gjoka, Zef Brozi, Pal Nikolli, Sandër Lleshi, Davë Përlala, Mark Marku, Sandër Kovaçi, Dodë Prenga etj. Nga Mirdita e vjetër rridhnin dhe profesorët e njohur Anton Çeta, Zef Mirdita, Gjergj Rrapi të Universitetit të Prishtinës etj., përkatësisht me origjinë nga Fani, Spaçi, Kaçinari, apo në ditët e sotme profesor Fatmir Sulejmani (Fana) i Universitetit të Tetovës.
*
Kjo trajtesë e shkurtër është një panoramë në kundrajë historike e arsimit dhe shkollës dhe jo një analizë e asaj se çfarë dhe si ka ndodhur në anën politike, e megjithatë nuk mund të mos i kthejmë për një çast sytë nga ata nxënës që përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX u penguan të vazhdonin shkollat e larta, duke u privuar nga një e drejtë themelore e njeriut, ajo e lirisë së shkollimit.

Pas 90-s shkolla nisi të hapej me Perëndimin, paçka hapave të ndryshimit. Pa folur për problemin e mprehtë demografik të zonave malore, deri në shpopullim të disa fshatrave, aq sa sot nuk ka më banorë në Lajthizë e Kuzhnen e Trangë, jo më shkollë. Megjithatë shkolla e Mirditës, e përqendruar kryesisht në zonën urbane, ndonëse e pakësuar në nxënës, ka hyrë në hullinë e modernizimit të pakthyeshëm të procesit mësimor, nxënësit ushtrohen në të rejat e shkencave dhe të tekonologjinë e informacionit, gjuhët e huaja, punët me projekte, konkurojnë përmes olimpiadave, rrisin ndjenjën komunitare etj.

Ëndrra e të rinjve për shkollim e progres social - kulturor nuk rresht. Ajo përpajnohet rrugëtimit të dijes nga njëra gjeneratë në tjetrën, nga martirja e djeshme Marie Tuci, bijë e Gjomarkajve, te ministrja e sotme e Arsimit e Sportit Lindita Nikolla; nga gratë mirditore të kurseve kundër analfabetizmit të pasluftës, te mbesat e tyre doktore shkencash, volejbolliste të kategorisë së parë, studente të epokës digjitale etj. Kjo është historia.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit