MIRDITE- Ish-pika e magazinimit dhe shpërndarjes së pesticideve për zonën verilindore të Shqipërisë e cila ndodhet në qytetin e Rrëshenit, është kthyer në një kërcënim serioz për jetën e banorëve.

Edhe pse është ndërhyrë për t’i pastruar këto mbetje duke i groposur, sërish ato janë një problem për zonën, pasi ka infiltrime duke ndotur ujërat nëntokësore. Alarmin për këtë situatë e ka dhënë edhe specialisti i bujqësisë në Mirditë, Bardhok Reci, duke kërkuar që të ndërhyhet në mënyrë urgjente për zgjidhjen e kësaj situate.

Këto magazina të cilat ndodhen në periferi të qytetit të Rrëshenit kanë shërbyer që prej vitit 1946 për grumbullimin e këtyre kimikateve mjaft të rrezikshme.
 
Kjo zonë është cilësuar edhe nga qeveria si një ndër zonat më të rrezikshme në vendin tonë, ku dhe në vitin 2006 një person humbi jeten teksa groposte një sasi nga këto kimikate.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)