MIRDITE-Një veprim i shëmtuar është shënuar në qytetin Rrëshenit, ku persona të paidentifikuar kanë hedhur naftë në rrënjët e pemëve të reja që sapo janë mbjelle në sheshin e këtij qyteti, i cili është ende një kantier ndërtimi në kuadër të projektit për rikualifikimin e tij.
 
Ky fakt është denoncuar edhe nga gazetari Gjergj Marku në profilin e tij në rrjetin social facebook.
 
Siç duket në këto foto personat e paidentifikuar kanë hedhur naftë në rrënjët e pemëve, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë natës.
 
“Një veprim i shëmtuar është shënuar përgjatë natës së mbrëmshme, persona të paditur, kanë hedhur naftë tek rrënjët e pemëve të reja të mbjella në sheshin kryesor të qytetit Rrëshen që është në ndërtim e sipër si dhe përgjatë rrugëve pedonale. Kjo histeri dhe veprim barbar, nuk ka të bëjë fare me mirditorët e civilizuar, dhe është një turp dhe maskarade që duhet të na skuqë të gjithëve. Ti vesh qëllim vetes për të tharë e prerë pemët gjelbëruese, që do i shërbejnë gjithë qytetit dhe Mirditës në një mjedis të përbashkët social, ku mblidhen çdo natë pothuaj i tërë qyteti, nuk ka sens dhe as justifikim”, shkruan Gjergj Marku ne profilin e tij.

[gallery]21964[/gallery]

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com